Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare vazhdon të ruajë traditën e vet. Sot kur edhe zyrtarisht hapet edicioni i 38-të, seminari mbush 45 vjet dhe është shndërruar në ngjarjen kryesore në fushën e albanologjisë.
Ky seminar i cili zgjat deri më 30 gusht, mbledhë në Prishtinë studiues të shumtë nga vende të ndryshme.
Drejtori i Seminarit, Shkumbin Munishi në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se edhe këtë vit interesimi i studentëve për të mësuar gjuhën shqipe është i madh.
“Kemi pasur mbi 130 kërkesa të atyre që kanë qenë të interesuar për të marrë pjesë në seminar. Kryesisht studentë, të cilët duan ta mësojnë gjuhën shqipe. Krahas kësaj, ka mbi 70 punonjës tjerë shkencor që do të marrin pjesë në aktivitetet shkencore, të cilat organizohen në kuadër të seminarit”, thekson ai.
E krahas këtyre, thekson se do të ketë edhe referime shkencore.
“Do të organizohet një tryezë shkencore me rastin e 330 vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit. Një tjetër tryezë shkencore për 200 vjetorin e lindjes të shkrimtarit arbëresh Anton Santorit. Do të shënohen përvjetorët e vdekjes së dy albanologëve të shquar, të profesorit amerikan Eric Hamp dhe të themeluesit të seminarit, prof. Idriz Ajetit”, tregon ai.
Ai bën të ditura edhe temat kryesore të seminarit për sesionet shkencore.
“Në fushën e gjuhësisë, tema e sivjetme do të jetë ‘struktura e shqipes aktuale’; në fushën e letërsisë, tema bosht e sesionit do të jetë ‘si ëndërrohet në letërsinë shqipe’; ndërkaq, në fushën e kulturologjisë, tema bosht e sesionit do të jenë ‘rrjetet sociale, politika dhe etika’”, bën të ditur ai.