Xhamia e Ibrit, e ndërtuar në vitin 1777 dhe e djegur më 2 maj 1999, pritet të rindërtohet.
Kështu ka bërë të ditur kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook.
Ai ka njoftuar se, së bashku me Myftiun Naim Tërnava, kryeimamin Vedat Sahiti dhe ministren Saranda Bogujevci, është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit për hartimin dhe zbatimin e projektit të rekonstruktimit të kësaj xhamie.
Sipas Kurtit, përmes këtij memorandumi, Qeveria e Kosovës do të mbështesë ringritjen e këtij monumenti me rëndësi historike dhe kulturore.
“Në vazhdim, nënshkruam edhe një memorandum tjetër bashkëpunimi me Bashkësinë Islame të Kosovës, i cili synon forcimin e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore islame.
Këto angazhime janë pjesë e përkushtimit tonë të vazhdueshëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vend, pas dëmeve të shkaktuara gjatë luftës së viteve 1998–1999.
Investimet në këtë fushë do të vazhdojnë edhe në vitet në vijim”, shkroi Kurti.









