Sorensen ia thotë Konjufcës në sy: Marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit të obligueshme – Ministri e pranon

Deklarata e ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, në Forumin e Dubrovnikut ka nxjerrë në pah një kontradiktë të rëndësishme në qëndrimet e Qeverisë Kurti lidhur me Marrëveshjen e Ohrit. Zyrtari i lartë i qeverisë ka pranuar publikisht se marrëveshja, megjithëse nuk është nënshkruar, përmban angazhime që duhet të zbatohen, duke u rreshtuar në thelb me qëndrimin e Bashkimit Evropian. Ndërkohë që shefi i tij, saherë i përmendet neni 10, apo zbatimi i të gjitha marrëveshjeve me Serbinë si dhe neni 7 ose vetmenaxhimi i komunitetit serb, apo “Zajednica”, përmend mungesën e nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve.

Dubrovnik – 28 qeshor 2026
Debati u zhvillua pasi emisari i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, deklaroi se Marrëveshja e Ohrit është një zotim ndërkombëtar dhe nuk ka nevojë për nënshkrim që të jetë e vlefshme.

I pyetur për këtë deklaratë, Konjufca tha se Kosova kishte qenë e gatshme ta nënshkruante marrëveshjen, por jo Serbia.

“Sa i përket dialogut me Serbinë dhe marrëveshjes, mendoj se ne shpresuam se kishim një marrëveshje. Është e vërtetë që ajo nuk u nënshkrua. Ne ishim të gatshëm ta nënshkruanim”, deklaroi ai.

Sipas Konjufcës, kryeministri në detyrë Albin Kurti kishte shprehur gatishmërinë për ta nënshkruar dokumentin, ndërsa refuzimi kishte ardhur nga pala serbe.

“Por, mendoj se Serbia e refuzoi. Dhe pikërisht në atë moment edhe ndërmjetësuesit u përballën me nevojën për t’iu përshtatur kësaj situate të re. Sepse besoj se fillimisht, në mënyrë të sinqertë, marrëveshja nuk ishte konceptuar në këtë formë. Më vonë asaj iu dha statusi i një marrëveshjeje. Kështu, ajo mori më shumë formën e një lloj marrëveshjeje xhentëlmenësh. Megjithatë, ishte një marrëveshje që përmbante angazhime, edhe pse nuk ishte e nënshkruar, siç po e shpjegon z. Sorensen”, tha Konjufca.

Megjithatë, ai shtoi se Qeveria nuk ishte e kënaqur me faktin që dokumenti nuk mori formën e një marrëveshjeje të nënshkruar.

“Mendonim se duhej të ishte një marrëveshje ndërkombëtare, e cila do të vendoste detyrime të qarta dhe konkrete për t’u përmbushur. Në fund, ndërmjetësuesit thjesht e publikuan në faqen zyrtare të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Europian dhe thanë: ‘Kjo është marrëveshja dhe ju duhet ta zbatoni atë’”, u shpreh ai.

Në të njëjtin panel, Sorensen e hodhi poshtë argumentin se mungesa e nënshkrimit e bën marrëveshjen të pavlefshme.

“Nuk ju nevojitet një nënshkrim që një marrëveshje ndërkombëtare, e arritur mes palëve, të jetë e vlefshme”, deklaroi ai, duke shtuar se për këtë çështje ishte konsultuar me juristë në Bruksel dhe New York.

Sipas Sorensenit, BE-ja e konsideron Marrëveshjen e Ohrit obligim ndërkombëtar për të dyja palët dhe pret zbatimin e saj.

Deklaratat e Konjufcës konsiderohen domethënëse, pasi për vite me radhë zyrtarët e Vetëvendosjes kanë argumentuar se mungesa e nënshkrimit e bën marrëveshjen të pazbatueshme ose juridikisht të paplotë. Tashmë, ministri në detyrë pranon se dokumenti përmban angazhime që duhet të respektohen, edhe në mungesë të nënshkrimit.

Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Ohrit përmbajnë disa dispozita që kanë shkaktuar debat të madh në Kosovë. Një prej tyre është neni 7, i cili parasheh që Kosova të sigurojë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, duke përfshirë mundësinë e një forme organizimi për komunat me shumicë serbe. Ky nen është interpretuar nga kritikët si bazë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin partia Vetëvendosje e quante “Zajednica”.

Po ashtu, neni 10 i marrëveshjes obligon palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura më herët në kuadër të dialogut.

Kjo do të thotë se në paketën e obligimeve përfshihen edhe marrëveshjet e viteve të kaluara, përfshirë ato që kanë të bëjnë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Pranimi publik nga Konjufca se Marrëveshja e Ohrit përmban angazhime, së bashku me insistimin e Sorensenit se ajo është një obligim ndërkombëtar, tregojnë se deklaratat e Kurtit për mungesë nënshkrimi ishin vetëm për konsum të brenshëm.