Pasi u prenë drunjtë në Gjilan nga Alban Hyseni, Fitore Pacolli ndalon prerjen dhe zhvendosjen pa lejen e Ministrisë

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se ka marrë një vendim që forcon mbrojtjen e drunjve urbanë dhe hapësirave të gjelbra në të gjithë Kosovën, vetëm pak ditë pasi prerja e një numri të madh drunjsh në Gjilan shkaktoi reagime të shumta në opinion.

Sipas Pacollit, me vendimin e ri ndalohet prerja, krasitja ekstreme dhe zhvendosja e drunjve pa pëlqimin paraprak të Ministrisë. Gjithashtu, komunat obligohen të bëjnë inventarizimin e plotë të drunjve urbanë dhe të zbatojnë standarde të qarta për mbrojtjen e tyre.

Ministrja bëri të ditur se çdo projekt që prek hapësirat e gjelbra do t’i nënshtrohet procedurave të vlerësimit mjedisor, ndërsa për çdo dru të larguar do të zbatohet parimi “1 me 3”, që nënkupton mbjelljen dhe mirëmbajtjen e tre drunjve të rinj.

Vendimi vjen në një kohë kur në Gjilan pati kritika pas prerjes së dhjetëra drunjve në kuadër të një projekti komunal të udhëhequr nga kryetari Alban Hyseni, i cili, njësoj si ministrja Pacolli, vjen nga Lëvizja Vetëvendosje. Prerja e drunjve nxiti debat publik mes përkrahësve të projektit dhe ambientalistëve, të cilët kërkuan mbrojtje më të madhe të hapësirave të gjelbra.