Ish-deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiq ka reaguar pas publikimit të audio-incizimit të shefes së GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lilës me kryekriminelin Millan Radojçiq.
Simiq në një përgjigje për Debat Plus ka konfirmuar se ka komunikuar me Kusarin edhe pas qershorit 2022.
“Ajo që mund të them shtesë është se Mimoza Kusaru nuk më ka përzënë kurrë nga zyra e saj, madje as në atë qershor, dhe unë posedoj prova se kemi qenë në kontakt edhe pas kësaj. Sa i përket kërkesave që kemi pasur dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, zoti Radoicic, i ka thënë Mimozës t’i përcjellë shefit të saj, është më mirë ta kontaktoni atë, ose ndoshta do të keni mundësinë që ai t’ju japë përgjigje për këtë pyetje, ose do ta merrni atë prej tij. Unë e di se si grup parlamentar kemi pas udhëzim dhe pëlqim nga zoti Radoicic përtë mbështetur ligjin për pagën minimale, dhe këtë si grup parlamentar e bëmë duke votuar PRO ligjit për pagën minimale në qershor, dhe kemi pasur udhëzim nga Radoicic për të mbështetur emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese gjë që na kërkoi Mimoza”, ka thënë Simiq në përgjigjen e dhënë për Debat Plus.
Mimoza Kusari-Lila i ka quajtur “montazha” dhe ka thënë se mediat po ia bëjnë avokatin dhe argatin Millan Radoiçiqit, pas publikimit të audio-inicizimit në të cilin ajo dëgjohet duke biseduar në telefon me kryekriminelin e veriut të Kosovës.
Në një reagim ndaj audio-inicizimit, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se mediat po e mbrojnë Radoiçiqin.
“Këta, të njëjtit, me çdo kusht po duan t’ja bëjnë avokatin dhe argatin. Po e mbrojnë Radojçiqin me sound bites dhe montazha të bisedave me ish deputetin Slavko Simiq, e fundit bisedë në qershor të 2022-tës, pas së cilës ai u nxorr jashtë nga zyra ime”, ka thënë ajo.
“Megjithatë, shihet se hallin e kanë të madh përderisa bëjnë permutacione të së njëjtës bisedë për të pestën herë. Kësaj radhe në ditën e seancës gjyqësore për sulmin terrorist në Banjskë”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Derisa nuk e ka komentuar përmbajtjen e audio-inicizimit, i cili është autentik, Kusari-Lila ka vazhduar t’i sulmojë mediat.
“Por të kotë e kanë. Me 9 shkurt do ta marrin përgjigjen. Radojçiqi dhe krejt aleatët e mbështetësit e tij janë të mundur dhe kurrë më nuk kthehen në Kosovë, përveç se duarlidhur”, ka thënë ajo. “Atyre të cilëvë po ju mungon, duhet të mësohen pa të.
Nuk ka luftë hibride që na përkul.”