Një shtëpi është shembur rreth mesditës së sotme në rrugën “A” në Prishtinë, duke mobilizuar menjëherë Policinë e Kosovës, e cila ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka rrethuar zonën.
Lajmi është nga Enis Pllana, zëdhënës i policisë së kryeqytetit.
“Rreth orës 12:00, Policia ka pranuar informatën për shembjen e një shtëpie në rrugën ‘A’, në Prishtinë. Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë siguruar perimetrin dhe janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme”, tha Pllana.
Ai shtoi se të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në koordinim me Prokurorin e Shtetit.
Policia nuk ka dhënë ende informacione nëse si pasojë e shembjes ka persona të lënduar apo dëme të tjera, ndërsa rrethanat e rastit mbeten nën hetim.








