Serbia forcon bashkëpunimin me SHBA-në, pjesë e programit hapësinor Artemis të NASA-s

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka njoftuar se Serbia është bërë zyrtarisht pjesë e programit hapësinor Artemis, pas nënshkrimit të një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi me Administratën Kombëtare të Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA).

Gjuriq tha se marrëveshjet u nënshkruan në Uashington, në prag të hapjes së dialogut të parë strategjik mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.

“Një ditë vërtet e veçantë për shkencën serbe këtu në Uashington”, ka shkruar Gjuriq, duke e cilësuar anëtarësimin në programin Artemis si një moment historik për vendin.

Sipas tij, ky hap do t’u mundësojë shkencëtarëve, kompanive dhe institucioneve serbe të marrin pjesë në një prej programeve më të avancuara në botë për eksplorimin e hapësirës.

Gjuriq ka theksuar se Serbia synon ta ndërtojë të ardhmen e saj mbi dijen dhe inovacionin, duke përmendur ndër figurat më të njohura të shkencës me origjinë serbe Nikola Teslën, Milutin Milankoviqin dhe David Vujiqin.

“Duke iu bashkuar komunitetit Artemis, Serbia qëndron përkrah vendeve të përkushtuara ndaj eksplorimit paqësor, të përgjegjshëm dhe transparent të hapësirës, në të mirë të gjithë njerëzimit”, ka deklaruar Gjuriq.

Ai ka falënderuar Shtetet e Bashkuara dhe NASA-n për besimin dhe partneritetin, duke theksuar se përparimet më të mëdha shkencore arrihen kur njerëzit, idetë dhe burimet bashkohen.