SHBA-ja synon përfshirjen e Kosovës në korridoret rajonale të energjisë

I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Energjisë për integrimin energjetik, Joshua Volz, thotë se Uashingtoni po e rrit angazhimin e tij në Ballkanin Perëndimor për të forcuar sigurinë energjetike të aleatëve dhe për të ulur varësinë e tyre nga furnizimet ruse.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thekson se Rusia e ka përdorur vazhdimisht energjinë si mjet gjeopolitik dhe se SHBA-ja synon t’i zëvendësojë “molekulat ruse” me burime të tjera energjetike përmes zgjerimit të infrastrukturës në Evropën Juglindore.

Ai e përshkruan sigurinë energjetike si siguri kombëtare, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me rritjen ekonomike, investimet dhe stabilitetin politik në rajon.

Për Kosovën, Volz thotë se është një aleate shumë e rëndësishme dhe një vend “në nevojë urgjente për modernizimin” e sistemit energjetik.

“… kur kushtet e tregut të ndryshojnë dhe mjedisi i biznesit bëhet më tërheqës për investimet energjetike amerikane, Departamenti i Energjisë do të jetë i gatshëm të ndihmojë në lehtësimin e bashkëpunimit mes industrisë amerikane dhe partnerëve industrialë në Kosovë”, thotë ai.