Sentiq: Sipas hetimeve paraprake për arrestimet në Gazimestan ekzistojnë baza për hapjen rastit

Pas nisjes së procedurës sipas detyrës zyrtare lidhur me arrestimet në Gazimestan gjatë shënimit të Vidovdanit, hetimet paraprake kanë treguar se ekzistojnë baza për hapjen formale të rastit dhe zhvillimin e hetimeve të plota, ka deklaruar për Kosovo Online zëvendësi i Avokatit të Popullit, Srgjan Sentiq.

“Në këtë drejtim, Institucioni i Avokatit të Popullit u ka dërguar kërkesa zyrtare Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policor të Kosovës për mbledhjen e të gjitha informatave dhe dokumentacionit përkatës, të nevojshëm për përcaktimin e gjendjes faktike”, ka thënë Sentiqi, transmeton Paparaci.

Ai ka shtuar se vendimi për nisjen e hetimit të plotë bazohet në disa burime që tregojnë për shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut.

“Vendimi për nisjen e hetimeve të plota mbështetet në një numër të madh videosh të qasshme publikisht, raportime mediatike, si dhe në shumë deklarata publike të personave të arrestuar dhe ankesa individuale të dorëzuara në Institucionin e Avokatit të Popullit. Në këto pretendime përmenden raste të mundshme të keqtrajtimit psikik dhe fizik gjatë privimit nga liria dhe ndalimit policor”, ka theksuar ai.

Sentiqi ka bërë të ditur se, për shkak të seriozitetit të pretendimeve dhe mundësisë së shkeljes së disa të drejtave themelore të njeriut, në trajtimin e rastit janë përfshirë disa departamente të Institucionit të Avokatit të Popullit.

“Duke pasur parasysh natyrën e pretendimeve të paraqitura dhe mundësinë e shkeljes së disa të drejtave themelore të njeriut, në trajtimin e këtij rasti janë përfshirë disa departamente të Institucionit të Avokatit të Popullit, përfshirë Departamentin për Mbrojtje nga Diskriminimi, si dhe Mekanizmin Kombëtar Parandalues për Mbrojtjen nga Tortura dhe format e tjera të trajtimit ose ndëshkimit mizor, çnjerëzor apo poshtërues, në mënyrë që rasti të shqyrtohet nga të gjitha aspektet përkatëse brenda kompetencave të institucionit”, përfundoi Sentiqi.

Kujtojmë se njëri nga të ndaluarit pas shërbesës përkujtimore në Gazimestan, Damjan Otasheviq nga Mali i Zi, deklaroi se gjatë arrestimit dhe transportimit drejt stacionit policor “ishte ekspozuar ndaj keqtrajtimit fizik dhe psikik nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës”.

Për 36 personat e ndaluar në Gazimestan gjatë shënimit të Vidovdanit, Gjykata Themelore në Prishtinë shqiptoi gjobë prej 700 eurosh. Ndërsa personave që nuk posedojnë dokumente të Kosovës u është ndaluar hyrja në Kosovë për një periudhë prej tre vjetësh./Paparaci.com