Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se ka sekuestruar të martën pasuri në vlerë 100 mijë euro, e cila dyshohet se është fituar përmes veprimtarisë së paligjshme.
Pasuria e sekuestruar dyshohet se është përfituar përmes veprës penale “mashtrimi kompjuterik”.
Në këtë hetim janë përfshirë edhe autoritetet gjermane, bëri të ditur Prokuroria në një komunikatë për media.
“Si rezultat i hetimeve të zhvilluara nga Prokurori i Shtetit, pasuria e sekuestruar, në vlerë rreth 100.000 (njëqind mijë) euro, dyshohet se buron nga veprimtaria e kundërligjshme e të dyshuarve. Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është lëshuar urdhër ndalues për këtë pasuri, për të cilin janë njoftuar edhe bankat komerciale në Kosovë”, tha Prokuroria.
Prokurori i çështjes do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në bashkëpunim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.









