Saviçeviç: Turp që Baresi nuk e fitoi “Topin e Artë”, Sammer dhe Cannavaro nuk ishin të fortë sa ai

“Kam një lëmsh në fyt, një peshë që s’di ta përshkruaj. I dashuri Franco, sa më vjen keq”. Dejan Saviçeviç është i trishtuar dhe me mezi flet: “Ishte kapiteni im, kapiteni im i madh. Më donte të mirën, na donte të mirën, sepse ne ishim Milani. Në fakt Milani ishte ai, nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë më tjetër si ai”. Saviçeviç ndodhet në shtëpinë e tij në Budva të Malit të Zi. Bën pauza të gjata, pastaj lirohet, flet dhe kujton…

Dejan, kush ishte Baresi?
Një njeri i madh, personazh i jashtëzakonshëm. Dhe një shok skuadre i mrekullueshëm, lojtar fantastik. E kishte futbollin në gjak, kuptonte gjithçka, kishte një vizion loje të pabesueshëm. ‘San Siro’ këntonte: ‘Një kapiten, ka vetëm një kapiten’. Ishte diçka e bukur t’i dëgjoje ato thirrje, të rrëqethnin misht, i jepnin zemër gjithkujt.

Kur jeni njohur?
Unë e dija se kush ishte, një mbrojtës shumë i fortë dhe i famshëm. Në Jugosllavi, tek Ylli i Kuq, vlerësohej shumë. Më pas u takuam në Kupën e Kampionëve në vitin 1988. Fillimisht në ‘San Siro’ e më pas në Beograd.

Nata e famshme me mjegull. Penalltitë…
Ashtu është. Kujtoj vetëm se unë e humba timen, ndërsa Franco shënoi. Më pas Milani e fitoi me meritë trofeun. Skuadër e madhe dhe Franco ishte nga më të fortët. Jo, jo, më falni: më i forti.

Tani thonë se ishte më i mirë se Beckenbauer. E drejtë?
Beckenbauer e kam parë vetëm me kombëtaren e tij. Kam kujtime të largëta, por ishte një kampion me klas të madh. Baresi ishte si ai. Madje, ai dhe Paolo Maldini kanë qenë më të mëdhenjtë në botë. Franco fitoi shumë, por duhet të kishte fituar akoma më shumë.

ESCLUSIVA MILAN  Foto LaPresse - Spada 23 Luglio 2019 - New York  (USA) -  A.C. Milan - Stagione 2019-2020  Franco Baresi ospite  presso il negozio Boglioli di New York   Nella foto: Franco Baresi   EXCLUSIVE MILAN  Photo LaPresse - Spada July 23 , 2019 New York ( USA )  Sport Soccer A.C. Milan - Starting Season 2019-2020  Franco Baresi meets fans at Boglioli store  In the pic:  Franco Baresi

Edhe “Topin e Artë”?
Veçanërisht atë, është turp që nuk e ka fituar. Si mund të mos ia japësh ‘Topin e Artë’ Baresit? Por faji është juaji…

Si i yni?
I juaji, i gazetarëve. Nuk e votuat. Fitonin vetëm holandezët. Rijkaard dilte gjithmonë para tij, në vendet e para. Tani, me gjithë respektin për Rijkaard, po flasim për një mesfushor me pasime të mira, me futboll të mire, por Baresi ishte tjetër gjë. Ai ishte fenomen. Dëgjo, mos më fol për ‘Topin e Artë’ se më ngrihen nervat…

E fitoi gjermani Sammer…
Edhe Cannavaro. Eh? E jo Franco Baresi, një nga mbrojtësit më të mëdhenj në historinë e futbollit. Nuk po them se është turp, por ata nuk ishin si Baresi. Ai kishte edhe një vlerë të madhe njerëzore, nuk merrte inat. Thoshte: ‘Mirë, lëre me kaq, të mendojmë pozitivisht’. Ishte lider, kalonte mbi gjërat.

Në çfarë marrëdhëniesh ishit ju me kapitenin?
Shumë të mira. Ai i ndihmonte të gjithë. Unë e kam ndier gjithmonë pranë. Nuk fliste shumë, por ishte gjithmonë aty. Në fillim isha në krizë, nuk luaja, ndihesha keq. Franco më përqafonte dhe më ngushëllonte: ‘Forca Dejan, ki durim, jemi shumë vetë dhe të gjithë të mirë’. Unë mendoja të largohesha dhe ai më thoshte: ‘Po ku do të shkosh? Këtu jemi te Milani, ku do të jesh më mirë se këtu?’ Pastaj më thoshte: ‘Mos u nxito, mos u dorëzo’. Ai nuk dorëzohej kurrë. Të dhuronte gjithmonë pak nga lumturia e tij.

Ndonjë episod në veçanti?
Eh, ka shumë. Mund të përmend një ndeshje Kupe, ndonjë finale, por unë kujtoj një gol të tij në Padova. E kam të ngulitur në memorie. Ishte ndeshja hapëse e kampionatit 1995, si dhe ndeshja e parë e Weah dhe Roberto Baggio. George shënoi një gol të bukur me kokë, Padova barazoi dhe më pas Baresi u shkëput, doli në sulm, Weah i dha një pasim të mirë, Franco e uli me gjoks në zonë, e la të zbriste në kofshë, e goditi me pjesën e brendshme të këmbës dhe e dërgoi në këndin e rrjetës. Duhej të shihje lumturinë e tij, gëzoi si fëmijë, vraponte si në ekstazë. U hodhëm të gjithë mbi të dhe e mbuluam me përqafime. Diçka prekëse. Ai Baresi ishte 35 vjeç dhe kishte luajtur rreth 500 ndeshje në kampionat. Dhe ishte po aq i lumtur sa një fëmijë. Më pas doli në televizion dhe tha me seriozitet: ‘Çuna, duhet të punojmë akoma shumë’.

FRANCO BARESI, Calciatore italiano, durante la partita di addio al calcio ' Milan - All Stars 6 x Sampre ' Milano 28.10.1997 - RETROSPETTIVA
© ARCHIVIO / AGENZIA ALDO LIVERANI SAS  
   - repertorio- franco baresi - fotografo: Agenzia Aldo Liverani Sas

Momente të tjera?
Finalja me Barcelonën në Athinë. Ai nuk ishte në fushë, sepse ishte i skualifikuar, por ishte njëlloj si të kishte qenë. E imagjinoj vuajtjen e tij. E donte Milanin, e kishte në shpirt. Dhe ne i thamë: ‘Franco, në fushë ishe edhe ti’. Ishte shumë i ndjeshëm; kujtoj lotët e tij në finalen e Botërorit në Amerikë. Milani kampion Europe dhe ai mund të bëhej kampion Bote. Dëmtoi meniskun, u rikthye menjëherë, kërkoi të luante në finale dhe e humbi penalltinë sepse mori përsipër përgjegjësinë për të gjuajtur i pari. Jam ndier shumë keq për të.

Por keni kaluar edhe shumë çaste të bukura së bashku. Si në gjysmëfinalet e Kupës kundër PSG në vitin 1995. E kujtoni?
Çfarë pyetje! Si mund ta harrosh? 1-0 atje, 2-0 në ‘San Siro’.

Dhe Saviçeviç shënoi dy gola…
Te PSG-ja luanin Weah, Bravo dhe Ginola. Në fund, tek po dilnim nga fusha, Franco më përqafoi dhe më tha: ‘Dejan je me të vërtetë një gjeni’. Më pas u dëmtova dhe nuk luajta në finale kundër Ajax-it. Mund të fitonim kupën e dytë rresht. Gjithmonë u kujtoj si momente të bukura, por Franco nuk është më…

Kur jeni dëgjuar për herë të fundit?
Në maj, besoj. Mbaja kontakte përmes Daniele Massaros. Pak kohë më parë isha me të në një nga klubet e Milanit pranë Bergamos. Ai ishte gjithmonë shumë i sjellshëm dhe i gjendur.

A do të vini për t’i dhënë lamtumirën?
Nuk ka dyshim. Do të bëj çdo gjë të mundur, ishte kapiteni im dhe një mik i imi. Pse nuk e bëjnë funeralin në Katedralen e Milanos (‘Duomo’)? Ai është Franco Baresi dhe e meriton ‘Duomo’, ashtu si artistët dhe politikanët. Të martën, një çerek ore përpara ceremonisë, do të jem përpara kishës.

The post Saviçeviç: Turp që Baresi nuk e fitoi “Topin e Artë”, Sammer dhe Cannavaro nuk ishin të fortë sa ai appeared first on Telesport.