UEFA ka rritur më tej përplasjen me FIFA-n dhe presidentin Gianni Infantino. Sipas “Telegraph”, institucioni europian i ka dërguar një paralajmërim zyrtar numrit një të FIFA-s, duke kërcënuar me nisjen e aksionit ligjor lidhur me projektin e braktisur “FIFA Forward Enterprise” (FFE).
Në qendër të konfliktit është plani që do t’u lejonte investitorëve privatë të hynin në një pjesë të aktiviteteve tregtare të FIFA-s, përfshirë të drejtat që lidhen me Botërorin. UEFA e konsideron këtë nismë të papajtueshme me parimet e transparencës dhe qeverisjes së mirë në futbollin ndërkombëtar.
Në letrën drejtuar Infantinos, UEFA thuhet se po “vlerëson në mënyrë aktive masa ligjore, procedura arbitrazhi dhe/ose ankesa tek autoritetet rregulluese”. Komunikime të ngjashme u janë dërguar edhe disa personave të përfshirë në projekt, mes tyre biznesmenit amerikan Joshua Kushner, presidentit të “TripAdvisor”, Greg Maffei, dhe bankës së investimeve “JP Morgan”.
UEFA i ka kërkuar gjithashtu FIFA-s dhe palëve të tjera të ruajnë të gjithë dokumentacionin dhe komunikimet elektronike për FFE, për të shmangur fshirjen ose ndryshimin e provave të mundshme në një proces gjyqësor. Përplasja mes dy institucioneve më të mëdha të futbollit botëror pritet të vazhdojë edhe në planin ligjor.
The post UEFA kërcënon FIFA-n: “Po vlerësojmë masat ligjore, mos e shkatërroni dokumentacionin” appeared first on Telesport.








