Që nga periudha e pasluftës organizata humanitare “Islamic Relief Kosova” ka nisur implementimin e projektit të Kurban Bajramit.
Përmes këtij projekti, organizata synon të ndihmojë familjet me fëmijë jetimë, e që aktualisht i ka mbi 1 200 familje që mbështeten gjatë gjithë vitit.
Lavdim Gashi, drejtues i kësaj organizate humanitare, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se nga viti i kaluar kurbani është shtrenjtuar.
“Islamic Relief Kosova me projektin e Kurban Bajramit e implementon që 25 vite. Domethënë prej pas luftës e ka implementu projektin e Kurbanit. Arsyeja e implementimit të këtij projekti është ndihma e familjeve me fëmijë jetimë, të cilat organizata jonë i ka në databazën e saj, që janë mbi 1.200 familje për të cilat kujdesemi përgjatë gjithë vitit. Edhe me rastin e festës së Kurban Bajramit e kemi si projekt përmes të cilit i ndihmojmë këtyre familjeve. Donatorët paguajnë tek ne kurbanin, edhe ne e implementojmë projektin, e bëjmë shpërndarjen e mishit të kurbanit. Vitin e kaluar ka qenë 180 euro kurbani, këtë vit është ngritur për 20 euro çmimi i kurbanit. Mirëpo këtë vit kemi bërë përjashtim, kemi ofruar mundësi për njerëzit që dëshirojnë me realizu si aktivitet fetar, si ibadet që është kurbani, edhe për jashtë vendit, shkaku që “Islamic Relief”, është organizatë ndërkombëtare dhe ka rrjetin e saj edhe në vendet e varfra të Afrikës. Edhe kemi pasur kurban prej 90 euro që ka qenë në Nigeri dhe Mali, deri në 200 euro që ka qenë në Kosovë. Këtë mundësi e kanë pasur donatorët tonë. Përndryshe në Kosovë ka qenë 200 euro”, tha Gashi për EO.
Ai theksoi se qytetarët e paguajnë kurbanin duke kryer obligimin e tyre fetar, pastaj organizata merret me punët e tjera siç tha ai sigurimin e kafshëve dhe therjen e tyre, e që në fund shkon tek nevojtarët.
“Po, njerëzit e kryejnë si obligim të tyre fetar që e kanë kurbanin, e paguajnë në organizatë, ndërsa organizata e ka pjesën tjetër të përgjegjësisë: me siguru kafshët, me bë therjen e tyre, shpërndarjen e tyre tek nevojtarët, tek familjet tona me fëmijë jetimë. Por njëkohësisht edhe donatorëve ua kemi mundësuar që ata, prej pagesës së tyre që e bëjnë, kanë mundësi me marrë një pjesë të mishit të kurbanit të tyre, që është diku 6-7 kg mish, edhe e shijojnë edhe kurbanin e tyre, njëkohësisht edhe i ndihmojnë këto familje në nevojë, të cilat thonë se mish konsumojnë përgjatë gjithë vitit vetëm në festën e Kurban Bajramit. Në përgjithësi ka qenë një rritje, në raport me vitin e kaluar, i njerëzve të cilët e kanë besuar therjen dhe shpërndarjen e mishit të kurbanit përmes organizatës sonë”, tha Gashi.
Gashi përmendi se organizata që ai drejton përpos kurbanit, ka edhe projekte të tjera e që është dhurata e jetimit, ku mbi dy mijë fëmijë të cilët nuk e kanë qoftë njërin prind apo të dytë, pajisen me rroba të reja për festën e Kurban Bajramit.
“Ne përveçse me kurban, gjatë festës kemi edhe projekte të tjera, siç është dhurata e jetimit, ku për mbi 2.000 fëmijë jetimë i gëzojmë para se me hy në festën e Bajramit. Ju shkojnë dhuratat nëpër shtëpi, nëpër shtëpia secilit fëmijë jetim që e kemi në databazën tonë. Po ashtu, qindra fëmijë ua mundësojmë përmes donatorëve tonë që me shku në qendra ku ka rroba për fëmijë edhe i zgjedhin rrobat e Bajramit, qysh është traditë tek ne me ble rroba të reja për Bajram fëmijët. Ata edhe pse janë sprovuar pa prindin e tyre, jemi mundu me ua lehtësu këtë pjesë që ne t’i financojmë edhe ata me i zgjedh rrobat ashtu çfarë ju pëlqejnë. Edhe sot ka fillu implementimi, sot dhe nesër shkojnë i zgjedhin rrobat, kështu që për Bajram do të jenë me rroba të reja një numër i madh i jetimëve tonë”, tha ai.
Momentalisht ai tha se janë 1 mijë e 200 familje për të cilat kujdesen dhe jo vetëm për festë, por gjatë tërë vitit.
“Po, organizata funksionon, është humanitare, funksionon për kujdes ndaj jetimëve edhe gjatë gjithë vitit evidentojmë edhe regjistrojmë raste sa herë që kemi me jetimë. Momentalisht i kemi mbi 1.200 familje me jetimë për të cilët kujdesemi gjatë gjithë vitit, jo vetëm tash për Kurban Bajram. Domethënë i kemi në databazë, i kemi informacionet e tyre, i vizitojmë gjatë vitit të paktën një herë, e bëjmë një raport domethënë të gjendjes së tyre ekonomike, shëndetësore. Edhe në përgjithësi funksionon organizata mbi bazën e verifikimit të rasteve”, tha Gashi për EO.









