Më 30 maj të vitit të kaluar, 11 deputetë të Kuvendit të Kosovës, patën bërë kërkesë për heqjen e ROAMING-ut ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Kjo rezolutë e miratuar me 69 vota nga Kuvendi, u propozua me qëllim që të hiqen tarifat dhe qytetarët të mund të komunikojnë me çmime sikurse në vendet e tyre, shkruan Indeksonline.
Mirëpo, edhe pse po bëhen gati tetë muaj që nga votimi në Kuvend dhe deri më tani janë zhvilluar disa takime mes palës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, ky proces edhe më tej vazhdon të zvarritet.
Në shtator të 2018-tës, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka kishte paralajmëruar se heqja e roamingut është çështje javësh, por një gjë e tillë nuk ndodhi.
Ndërsa tani në një përgjigje për Indeksonline nga kabineti i Llukës thuhet se roamingu do të hiqet pas pesë muajsh.
“Marrëveshja e nënshkruar e parasheh implementimin e marrëveshjes së roamingut në qershor 2019, kështu që është herët të përgjigjemi”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Për këtë çështje, iniciuesi i rezolutës, Dardan Molliqaj i PSD-së ka realizuar disa takime me përfaqësuesit e Shqipërisë, ku është premtuar se roamingu është çështje e kryer dhe se kanë mbetur vetëm disa punë të vogla dhe përfundon gjithçka.
Madje, Molliqaj kishte paralajmëruar se po punohej që roamingu të hiqej në verën që lamë pas.
Heqja e Roamingut është një nga shërbimet më të rëndësishme që do t’iu mundësojë qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës dhe Shqipërisë komunikim shumë më efikas dhe më të lirë. /Indeksonline/