Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi në podkastin “Flasim” se Tirana mirëpriti këtë javë sesionin hapës të Kongresit Botëror të Ligjit, një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e shtetit të së drejtës.
Sipas Ramës, organizimi i këtij eventi në Shqipëri përfaqëson një moment historik dhe një dëshmi të transformimit të vendit në raport me sundimin e ligjit dhe reformën në drejtësi.
“Kjo nuk është thjesht një ngjarje për turizmin apo zhvillimin ekonomik. Është një ngjarje që përcakton një epokë dhe konfirmon transformimin e Shqipërisë”, u shpreh kryeministri.
Ai theksoi se deri disa vite më parë do të ishte e paimagjinueshme që Shqipëria të zgjidhej mikpritëse e një platforme të tillë ndërkombëtare, për shkak të siç tha, sfidave që vendi kishte në raport me sistemin e drejtësisë dhe shtetin ligjor.
Rama nënvizoi se zgjedhja e Tiranës për të mbledhur juristë, ekspertë dhe figura të rëndësishme të së drejtës lidhet drejtpërdrejt me progresin e bërë përmes reformës në drejtësi dhe angazhimit për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.
Kryeministri shtoi se reforma në drejtësi duhet të vazhdojë më tej, duke garantuar ndarjen mes politikës dhe sistemit të drejtësisë, si dhe forcimin e pavarësisë së institucioneve ligjzbatuese.
Sipas tij, mbështetja ndaj drejtësisë është thelbësore për të garantuar barazinë para ligjit dhe funksionimin e shtetit demokratik./TCh









