Qalaj: Insistimi i VV-së për Komisionin për votim të fshehtë, tentativë e tyre për ‘blerje’ apo ndryshim qëndrimi të ndonjë deputeti

Dje dështoi për hetë të 13-të të konstituohet Kuvendi i Kosovës.

Propozimi i kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për formimin e një komisioni për votim të fshehtë për kryeparlamentarin, nuk kaloi.

E nesër me fillim nga ora 11:0o pritet të mbahet seanca e radhës konstituive e Kuvendit.

Nga Partia Demokratike e Kosovës nuk janë optimist se edhe nesër mund të ketë zhbllokim të ngërçit institucional.

Kështu deklaroi për “Gazeta Blic”, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.

Qalaj tha se si PDK nuk ndryshojnë qëndrim sa i përket propozimit të VV-së, Albulena Haxhiu, për kryetare Kuvendi.

“Nuk besoj që edhe nesër do të ketë ndonjë ndryshim, nuk kam pa ndonjë shenjë që Lëvizja Vetëvendosje do të ndryshojë kandidatin apo do të ndryshojë mënyrën e sjelljes në Kuvend.  Sa i përket Partisë Demokratike ne do të veprojmë njëjtë, jemi të pakompromis në qëndrimin tonë, zonja Haxhiu nuk kalon me votat e PDK-së” tha Qalaj.

Deputeti i PDK-së tha se insistimi për votim të fshehtë ka të bëjë me tentativat e Lëvizjes Vetëvendosje për ‘blerje’ apo ndryshim të qëndrimit të ndonjë deputeti individual

“Insistimi i kundërligjshëm i LVV-së për Komisionin për votim të fshehtë ka të bëjë me tentativat e Lëvizjes Vetëvendosje për ‘blerje’ apo ndryshim të qëndrimit të ndonjë deputeti individual i cili jam i sigurtë nuk është nga PDK-ja. Edhe kjo nuk do të dalë për shkak se PDK-ja por si duket edhe partitë tjera opozitare nuk do të marrin pjesë në votim fare gjithmonë duke konsideruar se formimi i këtij Komisioni për votim të fshehtë, në këtë fazë është i papranueshëm dhe nuk është i paraparë me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës” tha Qalaj në intervistën e dhënë për “Gazeta Blic”./Gazeta Blic/