Gjatë debatit televiziv, analisti Fidan Rama ngriti një pyetje lidhur me mënyrën e shpenzimit të buxhetit shtetëror gjatë mandatit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Rama tha se gjatë periudhës së qeverisjes së Kurtit kanë qenë rreth 20 miliardë euro nën menaxhimin e ekzekutivit, duke pyetur pse fokusi ka qenë më i madh te shtesat dhe ndihmat sociale sesa te investimet kapitale që, sipas tij, do të kishin ndikim më të madh në zhvillimin ekonomik të vendit.
“I keni pasë 20 miliardë euro nën menaxhim nga viti 2021 si kryeministër. Pse i gjithë fokusi më shumë në këto shtesa, në këto ndihma sociale, e më pak në investime konkrete kapitale që e zhvillojnë më shumë vendin? Çka mund të llogaritet si e arritur kapitale me këtë buxhet prej 20 miliardë eurosh?”, ishte pyetja e Ramës.
Në përgjigjen e tij, Kurti nuk dha një sqarim të drejtpërdrejtë për investimet kapitale apo për mënyrën e shpenzimit të buxhetit.
“Mua po më duket se më ke ngatërru me ata të opozitës. Ata kanë premtu ashtu, unë nuk kam premtu ashtu. Mua duhet me më vlerësu me ato premtime që i kam dhënë unë e jo ata”, deklaroi Kurti.








