Protesta të punëtorëve të institucioneve paralele serbe në Kosovë për shkak të 7 të arrestuarve

Që nga arrestimi i shtatë drejtorëve të institucioneve paralele shëndetësore dhe arsimore serbe në Kosovë, nuk kanë pushuar protestat e punonjësve në këto institucione.

Çdo ditë mbahen protesta të punonjësve të shëndetësisë dhe arsimit, në shenjë mbështetjeje për drejtorët e tyre të arrestuar, transmeton Paparaci.

Para spitalit në Graçanicë, Shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë, Qendrës së Shkollave të Mesme ku funksionojnë Shkolla e Mjekësisë, Shkolla Ekonomike dhe Gjimnazi, si dhe para shkollave fillore, edhe këtë mëngjes nga ora 9:00 deri në 9:30 janë mbledhur punonjësit. Gjatë kohës së protestës ndërpritet puna e këtyre institucioneve.

Nuk dihet se çfarë po ndodh brenda objekteve dhe nëse gjatë kësaj kohe pacientët marrin kujdes mjekësor apo nxënësit ndonjë formë mësimi, pasi gjatë tubimeve askush nuk u drejtohet mediave.

Kujtojmë se më 19 maj u arrestuan drejtori i Spitalit, Bratisllav Laziq, drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë, Mirjana Dimitrijeviq, drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Gushtericë, Sasha Mlladenoviq, drejtori i Shkollës Fillore “Milladin Mitiq” në Llapllasellë, Lubisha Karaxhiq, drejtoresha e Shkollës Fillore “Vëllezërit Aksiq” në Lipjan, Millica Dimiq, drejtori i Shkollës së Makinerisë në Preoc, Nebojsha Rashiq, dhe drejtori i Shkollës Elektroteknike në Sushicë, Boban Petroviq.

Ata u ndaluan me kërkesë të Prokurorisë Themelore, e cila reagoi pas deklaratave të ministrit për Komunitete dhe Kthim në qeverinë teknike, Nenad Rashiq, si dhe raportimeve të mediave lidhur me ndikimin ndaj votuesve para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Sipas pretendimeve, këta drejtorë kishin shpërndarë vendime për largim nga puna për 25 të punësuar për shkak të mbështetjes së tyre ndaj Nenad Rashiqit.

Siç është paralajmëruar, protestat do të vazhdojnë deri në lirimin e shtatë drejtorëve nga paraburgimi./Paparaci.com