Prishtina i bashkohet protestës në Shkup, Rama: Gjuha shqipe nuk është privilegj

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar për protestën që pritet të mbahet të hënën në Shkup për çështjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Rama ka thënë se kryeqyteti është me studentët shqiptarë që do të protestojnë më 18 maj.

Ai ka shtuar se gjuha shqipe nuk është privilegj.

“Gjuha shqipe nuk është privilegj është e drejtë kushtetuese dhe themelore e çdo shqiptari në Maqedoninë e Veriut. Më 18 maj, para Urës së Gurit në Shkup, studentët ngrihen për të mbrojtur dinjitetin, identitetin dhe të drejtën e tyre legjitime. Kjo nuk është vetëm një betejë studentore është një kauzë kombëtare dhe demokratike”, ka thënë Rama.

“Heshtja përballë diskriminimit është bashkëfajësi. Prandaj, sot është koha që të gjithë shqiptarët, pa dallim partie, ideologjie apo vendbanimi, të qëndrojnë krah studentëve dhe të kërkojnë me një zë: ligji të zbatohet dhe gjuha shqipe të respektohet”, ka thënë ai.

“Sepse aty ku mohohet gjuha, mohohet identiteti. Dhe aty ku mohohet identiteti, rrezikohet vetë barazia. Prishtina është me ju.”, ka thënë Rama.