Policia konfirmon aksionin ku u konfiskuan gati 5kg kokainë, pesë persona u arrestuan

Policia e Kosovës ka konfirmuar aksionin e sotëm në rajonin e Prishtinës, duke bërë të ditur se fillimisht janë arrestuar tre persona dhe janë sekuestruar mbi 2 kilogramë kokainë.

Gjatë këtij aksioni janë konfiskuar edhe një armë zjarri, dy automjete, tre telefona të mençur dhe 4 mijë euro para të gatshme.

Policia gjithashtu ka njoftuar se gjatë operacionit, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, të cilët kanë tentuar të largohen me veturën e tyre.

Gjatë kontrollit u është gjetur një armë dhe është konstatuar se automjeti i tyre ishte me dokumentacion të falsifikuar.

“Personat në fjalë nuk kanë ndërlidhje me rastin kryesor, andaj janë proceduar nga patrulla policore e Stacionit Jugu – Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Në vijimësi të hetimeve dhe zhvillimit operacional është kontrolluar edhe banesa e njërit nga të dyshuarit në Fushë Kosovë, ku janë gjetur dhe sekuestruar mbi 2 kilogramë kokainë dhe një armë zjarri.

“Të gjithë të dyshuarve kryesor iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet janë duke vazhduar nga DHTN – Sektori Qendror në koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet tutje në njoftim.