Petkoviq me demagogjinë tashmë të njohur: “BE-ja ta nxisë Kosovën për dialog”

Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, e  ngarkuar për propagandë kundër Kosovës, Petar Petkoviq, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që, përmes mekanizmave të tij, “ta nxisë Kosovën të mbajë një qasje të përgjegjshme dhe të përkushtuar ndaj dialogut që po zhvillohet në Bruksel”, si dhe “të përmbahet nga të gjitha veprimet e kundërligjshme që bien ndesh me frymën e normalizimit të marrëdhënieve”, transmeton Paparaci.

Petkoviq ka biseduar me ambasadorin e Mbretërisë së Holandës, Martijn Elgersma, për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe, sipas njoftimit, është ankuar për “veprimet e njëanshme dhe antiserbe të autoriteteve në Kosovë”.

“Beogradi është një partner i besueshëm në dialog dhe i respekton të gjitha marrëveshjet e nënshkruara deri më tani në Bruksel, por Prishtina, nga ana e saj, prej më shumë se 13 vjetësh shmang detyrimin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili është baza më e rëndësishme për respektimin e të drejtave kolektive dhe individuale të serbëve në Kosovë, ndërsa zbatimin e tij e ka garantuar edhe vetë Bashkimi Evropian”, ka pretenduar Petkoviqi në propagandën e tij të radhës.

Ai ka thënë se, nga ana e saj, “jo vetëm që nuk i respekton marrëveshjet e nënshkruara, por edhe në terren, me veprime të njëanshme dhe të kundërligjshme, po shkatërron të gjitha arritjet e dialogut dhe po shkel të gjitha të drejtat themelore të njeriut të komunitetit serb”./Paparaci.com