Daçiq: BE-ja nuk mund t’i mbajë leksione Serbisë pa dënuar më parë njohjen e Kosovës

Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, ka reaguar ashpër ndaj kritikave të Parlamentit Evropian, duke deklaruar se Bashkimi Evropian “nuk ka të drejtë t’i mbajë leksione Serbisë për respektimin e integritetit territorial, përderisa shumica e vendeve anëtare kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.

Komentet e tij u bënë pas takimit me homologun bullgar Ivan Demerdzhiev  në pikën kufitare të përbashkët Gradina–Kalotina.

I pyetur nga gazetarët bullgarë lidhur me akuzat e Parlamentit Evropian se Serbia po cenon integritetin territorial të shteteve të tjera, Daçiq tha se është paradoksale që kritika të tilla vijnë nga ata që, sipas tij, “kanë cenuar integritetin territorial të Serbisë përmes njohjes së Kosovës si shtet të pavarur”.

Ai ka përmendur se ka lindur në Kosovë dhe duke iu referuar Prizrenit si kryeqyteti i parë i shtetit mesjetar serb. Po ashtu, ai përmendi mbretin Millutin, i cili prehet në Sofje, si pjesë të trashëgimisë historike serbe të lidhur me Kosovën.

Daçiq me nervozizëm hodhi poshtë pretendimet e gazetarëve se Serbia po vë në pikëpyetje sovranitetin e vendeve të tjera, duke deklaruar se Beogradi nuk konteston integritetin territorial të asnjë shteti. Duke iu referuar Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës, ai ka pretenduar se Serbia “ka të drejtë” të shprehë interes për pozitën e serbëve që jetojnë në këto vende.

Ministri serb kritikoi gjithashtu standardet që, sipas tij, Bashkimi Evropian zbaton ndaj Serbisë. Ai deklaroi se nëse ruajtja e integritetit territorial është një parim i rëndësishëm për BE-në, atëherë fillimisht duhet “të dënohet njohja e Kosovës nga shtetet anëtare të BE-së, e vetëm më pas të kritikohen vendet e tjera”.

Daçiq ka thënë se vendimet e Parlamentit Evropian “nuk kanë peshën që u atribuohet” dhe se qytetarët evropianë kanë probleme më të rëndësishme me të cilat duhet të merren institucionet e BE-së.

Në fund, Daçiq e cilësoi procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian si një proces të udhëhequr kryesisht nga interesat politike dhe jo vetëm nga përmbushja e kritereve. Sipas tij, shumë shtete janë anëtarësuar në BE për arsye politike, ndërsa Serbia mbetet e interesuar për integrimin evropian, por jo nëse çmimi për këtë është, siç u shpreh ai, heqja dorë nga sovraniteti dhe integriteti territorial i saj./Paparaci.com