Kurti e quan AAK-në “parti të respektuar”: Nuk e shoh në rregull të mos takohen me mua

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se nuk e konsideron të drejtë vendimin e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, që të refuzojë ftesën për takim.

Pas takimit të premten me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, Kurti e quajti AAK-në “parti të respektuar parlamentare”.

“Nuk besoj që është në rregull që një parti e respektuar parlamentare si AAK-ja të refuzojë takimin me mua si kryeministër dhe kryetar i partisë fituese. Andaj edhe po duhet të them 93 deputetë, në vend se 100”, tha ai.

“Por, po e them sërish që zgjedhja e presidentit nuk është përgjegjësi vetëm e partisë fituese”, insistoi Kurti.

Kryeministri në detyrë u shpreh optimist për marrëveshje me pakicat jo-serbe në Kuvendin e Kosovës.

“Por, gjithashtu edhe partitë e pakicave të cilat kanë qenë në të kaluarën me Lëvizjen Vetëvendosje në qeverisje, nuk ka asnjë arsye për të besuar që nuk do të jetë sërish njësoj. Ne kemi më shumë se 61 deputetë, që është minimumi i nevojshëm”, tha Kurti. /Paparaci.com