,

Përplasja për mostrat e vjedhura të Deharit, Abazi i kërkon ballafaqim publik Kurtit

Javën që shkoi Haki Abazi u shkarkua nga pozita e Kryetarit të Komisionit për Integrime Evropiane. Kur doli në konferencë për të reaguar ndaj këtij vendimi, Abazi e akuzoi Kurtin që s’e ka thënë asnjë fjalë për vjedhjen e mostrave të Deharit. Për këtë deputeti i LV-së sot u ftua në Prokurori. Pasi doli nga aty replikoi me Kurtin, ndërkohë që një përgjigje tjetër Kurtit ia dha në Gazetën Express.

Haki Abazi ka nisur që një kohë ta akuzojë dhe ta bëjë përgjegjës për dështime Kurtin dhe njerëzit më të afërt të tij. Por, Kryeministri Kurti ka folur vetëm sot rreth deputetit të partisë së tij, që prej kohësh ia bën opozitën.

Ai i ka quajtur “të pavërteta” dhe “të pasakta” deklaratat e Abazit, ku ndër të tjera, ai sygjeronte se për zhdukjen e provave të rastit të Astrit Deharit, duhej të intervistohej edhe Kurti.

Abazi konsideron se këto që i ka thënë Kurti kanë për qëllim “fshehjen e fakteve”, duke shtuar se për të gjitha mund të ballafaqohet publikisht me të.

“Kualifikimet gjenerale dhe deklaratat qe kanë për qëllim mshehjen e fakteve nuk mund të kundërshtojnë qëndrimet të bazuara e të argumentuara. Për të gjitha mund të ballafaqohemi publikisht! Faktet dhe rezultatet janë kokëfortë!”, ka thënë Abazi në një përgjigje për Gazetën Express.

Deputeti i LV-së, kur ka dalë sot nga Prokuroria, ku po intervistohej rreth deklaratave për mostrat e zhdukua të Deharit citoi një proverbë, të cilën e kishte modifikuar.

“Kur hyn palaçoja në pallat mbretëror, nuk bëhet mbret, vetëm mbretëria bëhet cirkus”, tha Abazi.

Ai nuk ka dashur të tregojë se për kë saktësisht e pati këtë, por në media u interpretua se ia hodhi Kryeministrit.

Deputeti i LV-së e akuzon Kurtin se e ka urdhëruar shkarkimin e tij nga udhëheqja e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme. Zëvendësimi që LV-ja ia bëri Abazit në komision dhe në një tjetër i ka acaruar edhe më shumë raportet mes tij dhe partisë, pjesë e së cilës vazhdon të jetë.

“Kjo që po ndodh tani, përfshirë edhe shkarkimin me urdhër nga z. Kurti është rezultat i guximit qytetar dhe kryerjes së punës sipas betimit tim në Parlamentin e Kosovës. Unë nuk kam heshtur në të kaluarën time, nuk do të hesht as tani, do ta kryej punën time si deputet dhe si qytetar aktiv”, ka thënë sot Abazi.

Pas një periudhe të heshtjes, Abazi ka nisur t’i flasë pakënaqësitë e tij, për të cilat ishin dhënë shenja prej kohësh.

Abazi është prej figurave që ishte ngritur e kishte rënë më së shpejti në Lëvizjen Vetëvendosje. Për pak muaj nga aderimi, Abazi ishte bërë zëvendëskryeministër dhe njeriu që shfaqej më pranë Kurtit. Pak a shumë kishte rolin që e ka tash zv.kryeministri Besnik Bislimi.

Në një intervistë në Pressing, para disa javësh, Abazi ka folur prej bashkimit të tij në LV, deri te ngjarjet e fundit.

Abazi thosht se Kurti ka qenë iniciatori i përafrimit të tij, futjes në listën e ngushtë të bashkëpunëtorëve, deri të dhënia e postit të Zëvendëskryeministrit në Qeverinë e parë të udhëhequr nga Kryeministri i tanishëm.

“Unë kam marrë një ftesë nga z. Kurti, që ishte kandidati për Kryeministër në herën e parë. Kam ardhur nga Shqipëria. Jemi takuar dhe më ka treguar konfiguracionin e Qeverisë, ose ministrave të LVV bashkë me LDK-në. Pas krejt diskutimeve, më është ofru të marrë pozitën e zv.kryeministrit. As nuk e kam pritur, as nuk e kam kërkuar”, thotë Abazi.

Deputeti thoshte se ftohja e Kurtit me të nuk nisi para zgjedhjeve të 14 shkurtit. Përkundrazi, sipas Abazit, ka vazhduar afërsia mes tij dhe Kryeministrit, atëherë të rrëzuar.

“Natën kur është vendos lista dhe emrat për listën e dytë [për zgjedhjet 2021], z. Kurti ka qenë në shtëpinë time, me disa mysafirë të tjerë” , thotë ai.

Abazi thoshte se, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti I, me vetë Kurtin kanë folur që në Qeverinë tjetër, do të hynin me ekipin e njëjtë.

“Në një proces të udhëtimit, jemi ulur dhe kemi diskutuar se pas përfundimit të zgjedhjeve, do të dalim me ekipin e njëjtë”, thotë Abazi.

Dikur, sipas versionit të Abazit, Kurti ia ka dhënë arsyet pse nuk kishte më vend për ish-zëvendëskryeministrin e parë.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Abazi që mbante numrin 19, doli deputeti i LVV-së i zgjedhur me më së paku vota. Ai thotë se Kurti t’ia ketë përdorur këtë si një nga arsyet e mosinkuadrimit në Qeverinë e re.

“Arsyetimet kanë qenë të llojit se nuk ke marrë vota të mjaftueshme. Se ka çështje që janë ngritur nga njerëz brenda se je forcuar shumë shpejt; ke bërë ‘rating’ për punën që ke bërë. Bile, në një moment thuhet shumë qartas se në mënyrë të efektshme janë kryer punët, përfshirë planit për reformën e administratën publike”, kishte thënë Abazi në një rrëfim të tijin në Pressing.

Related Posts