Një përplasje tjetër ka ndodhur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialdemokrate. Përplasja e sotme e tyre ka qenë për pagën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit.
Deputetë nga këto dy parti po pretendojnë se janë ata nismëtarët për zvogëlimin e pagës së kryeparlametnarit. Në fakt me një version tjetër ka dalur edhe Kadri Veseli.
Ai ka kërkuar që koeficienti i pagës së tij të zvogëlohet. Sipas koeficientit 11, Veseli merr pagë prej 2 mijë e 629 euro ndërsa në koeficientin nëntë, ai pritet të ketë pagë prej 2 mijë e 151 euro, që i bie 478 euro më pak.
Ai i ka dërguar një letër Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale përmes së cilës i kërkon që në kuadër të shqyrtimit të Ligjit për Paga, koeficienti i pagës së kryetarit të Kuvendit të zbresë në 9.
“Kërkesa ime besoj se është në përputhje edhe me gjendjen reale socio-ekonomike të vendit”, thuhet me tej në letrën e kryetarit të Kuvendit.
Deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina meritat për uljen e koeficientit të pagave ia ka adresuar partisë së saj.
“Kërkesa e Partisë Socialdemokrate për uljen e koeficientit, përkatësisht uljen e pagave për pozitat e larta drejtuese nga 12 në 10 është miratuar edhe nga anëtarët e tjerë të Komisionit për administratën publike”.
“Ulja e pagave për zyrtarët e lartë politikë dhe rritja e pagave për punonjësit e tjerë të sektorit publik, si për atë të shëndetësisë, kontribuon në zvogëlimin e pabarazisë shoqërore”, ka shkruar ajo.
Për, deputetin Valon Ramadani meritat i ka partia e tij, Vetëvendosja. Ai madje thotë se Veseli e ka spiunuar planin e Vetëvendosjes.
“Kadri Veseli e spiunoi planin tonë për zvogëlim të pagës. Aktualisht ndodhem me një punëtori për ligjin për pagat. Këtu kemi diskutuar gjatë që të ulet koeficienti nga 11 në 9 që do t’ia ulte pagën Kryetarit të Parlamentit Kadri Veseli për 478 euro. Propozimi i tij është hipokrit dhe reaksion ndaj një vendimi që duhej të merrej”, ka shkruar në Facebook.