Përfundon takimi, flet Bedri Hamza: PDK mbetet në opozitë

 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se partia që ai udhëheq do të vazhdojë të mbetet në opozitë.

Hamza, në një deklaratë për media pas takimit, tha se ndonëse PDK-ja nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt politik parlamentar, ajo ka vendosur të qëndrojë në opozitë.

“Ne sapo e përfunduam takimin me z. Kurti. Ju e dini qëndrimin tim publik, që PDK në këto zgjedhje ka garuar me program; ka garuar me prioritete”, tha Hamza.

“Prioriteti ynë ka qenë që ne të bëjmë punë qysh me përmirësu këtë vend dhe jetën e qytetarëve të Kosovës. Pastaj, kemi thënë se PDK nuk ka vija të kuqe dhe se është e hapur për të biseduar pa u imponuar. Bazuar në diskutimet që kemi pasur, normalisht korrekte, qëndrimi ynë është që PDK-ja për këtë mandat është parti në opozitë dhe ne i dëshirojmë sukses z. Kurtit dhe të gjithë atyre që takohen, bisedojnë, t’i japin vende institucione”, u shpreh kryetari i PDK-së.

Ai tha se përveç PDK-së, Kuvendi i ri do t’i ketë edhe 90 deputetë që nuk i përkasin partisë të cilën ai e udhëheq.

Hamza i ka uruar sukses Kurtit dhe të tjerëve në përpjekjet për gjetjen e një koncensusi për formimin e institucioneve.