Panik në fluturimin e Ryanair, çka ndodhi me motorin e aeroplanit që u detyrua të ulej në Selanik

Një aeroplan i kompanisë Ryanair që po udhëtonte drejt Mynihut u kthye të premten në mënyrë të sigurt në aeroportin “Maqedonia” të Selanikut, pasi pësoi një defekt serioz në motor pak pas ngritjes, njoftuan autoritetet greke.

Gjatë incidentit, një copëz nga motori goditi dhe theu dritaren e një pasagjeri, duke e lënduar personin që ishte ulur pranë saj. Maskat e oksigjenit u aktivizuan si masë paraprake, duke shkaktuar panik te udhëtarët.

Autoritetet thanë se nuk kishte çarje apo dëmtim të trupit të aeroplanit, pavarësisht shqetësimeve fillestare për dëmet.

Ekuipazhi e zbuloi problemin teksa aeroplani po fluturonte mbi Maqedoninë e Veriut dhe vendosi të kthehej në Selanik, pasi defekti i motorit nuk mund të zgjidhej gjatë fluturimit.

Pasi pilotët shpallën gjendje emergjente, në aeroportin “Maqedonia” u aktivizuan procedurat standarde të emergjencës. Zjarrfikësit, ambulancat, policia dhe shërbimet e tjera emergjente u vendosën në gatishmëri. Aeroplani u ul pa probleme dhe më pas u dërgua në një zonë të caktuar të aeroportit.

Katër pasagjerë u dërguan në spital si masë paraprake për kontrolle mjekësore. Shumica u kontrolluan dhe u liruan, ndërsa njëri prej tyre mbeti nën vëzhgim për analiza të mëtejshme.

Ryanair siguroi një aeroplan zëvendësues për shumicën e pasagjerëve, në mënyrë që ata të vazhdonin udhëtimin drejt Mynihut.

Autoritetet përkatëse të aviacionit kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e defektit të motorit.