Përfundon gjyqi maratonik: Kompania që ndërtoi rrethin e MTPT-së në Lakrishtë me 11 milionë euro, kërkoi edhe 88,000 euro dhe humbi rastin

Një proces i gjatë gjyqësor, që kishte nisur para shumë vitesh, mori fund me një vendim që la të pakënaqur një kompani ndërtimi. Gjykata Komerciale e Kosovës refuzoi padinë e kompanisë “Arda Rei” SH.P.K., e cila pretendonte se kishte pësuar humbje financiare si pasojë e ndryshimit të normës së TVSH-së në projktin për ndërtimin e rrethrrotullimit në udhëkryqin e rrugës magjistrale M9 dhe M2 në Prishtinë, ku çmimi kontraktues ishte në vlerë prej 11,750,446.99 euro. Beteja ligjore e kompanisë kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit përfundoi me refuzimin e pretendimeve për kompensim prej mbi 88 mijë eurosh, shkruan Demokracia.com.

Gjithçka nisi kur “Arda Rei” SH.P.K. nisi një proces gjyqësor, duke kërkuar nga shteti kompensimin e shumës së diferencës së TVSH-së. Kompania argumentonte se pas miratimit të Ligjit të ri për TVSH-në, norma tatimore ishte ngritur nga 15% në 16% dhe për pasojë, Ministria e Infrastrukturës nuk kishte reflektuar ndryshimin në kontratën publike që kishin lidhur.

Megjithatë, ky pretendim ishte refuzuar fillimisht nga Gjykata Themelore në Prishtinë që në vitin 2019, me argumentin se padia nuk kishte bazë ligjore. Pas një ankese, çështja shkoi në Dhomën e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, e cila e ktheu përsëri në rigjykim duke konstatuar se duhej vërtetuar se kur kishte nisur afati i parashkrimit të kërkesës.

Pas shqyrtimeve të reja gjyqësore dhe prezantimit të provave nga të dyja palët, Gjykata Komerciale më 3 janar 2025 vendosi se padia ishte e pabazuar dhe refuzoi kërkesën e kompanisë. Sipas vendimit, kompania nuk kishte dëshmuar se shteti kishte përfituar pa bazë juridike nga ndryshimi i normës së TVSH-së.

Sipas arsyetimit të gjykatës, paditësi nuk kishte ofruar argumente bindëse që Ministria e Infrastrukturës ishte e obliguar ta harmonizonte automatikisht shumën kontraktuale sipas ndryshimeve të TVSH-së. Gjykata, gjithashtu, vuri në dukje se afati për parashtrim të kërkesës mund të konsiderohej i skaduar.

Në fjalën përfundimtare, gjykata ka theksuar se nga provat e administruara evidentohet që e paditura në rastin konkret është pasuruar pa bazë juridike me rastin e ndryshimit të normës së TVSH-së për të cilën paditësit nuk ia kishte njohur diferencën, ndonëse e kishte një obligim të tillë. Më konkretisht nga provat e administruara evidentohet që palët kanë pasur një raport kontraktual të evidentuar me nr. të prot. 2601 për aktivitetin e prokurimit me titull “Ndërtimi i rreth rrotullimit në udhëkryqin e rrugëve magjistrale M9 dhe M2 në Prishtinë”. Sipas kësaj kontrate, çmimi kontraktues ka qenë në vlerën prej 11.750.446.99 Euro. Më tej, në pikën 13 të Aneksit e paditura është obliguar ta harmonizojë këtë çmim kontraktues brenda 28 ditëve nëse ka ngritje të tatimeve dhe detyrimeve doganore, në rastin konkret ka pasur ngritje të TVSH-së, me një dallim prej 1% pasi që ka hyrë ne fuqi Ligji 03l-114 për TVSH i datës 31.12.2008, ku norma e TVSH-së nga 15% ishte bërë 16%.

Mbi këtë bazë vlen të theksohet se paditësi i është drejtuar të paditurës me dy kërkesa të njëpasnjëshme, respektivisht një herë mes datës 26.09.2012 dhe 10.10.2012, mirëpo e paditura ka refuzuar ta pranojë këtë diferencë, me ç‘rast paditësi është detyruar të inicioi këtë padi. Lidhur me pretendimet e të paditurës se kërkesa për pasurim të pabazë është parashkruar, ka vlerësuar se e njëjta është në tërësi e pabazuar, për këtë vlen të evidentohet edhe gjetjet e vendimit të Gjykatës së Apelit ku e ka rrëzuar argumentin që kërkesa është e parashkruar për tre vite sipas nenit 374 të LMD-së. Tutje, ka shtuar se në rastin konkret aplikohet neni 34 i Ligjit mbi ndryshimet dhe plotësimet mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve RFJ 31/93 i datës 18.06.1993, ku parashkrimi është caktuar me një afat 10 vjeçare. Për më tepër, ky ligj aplikohet për shkak se nuk ka karakter diskriminues konform rregullores së UNMIK-ut 1999/24, ndërsa ka konsideruar se pas administrimit të provave qartazi është vërtetuar se e paditura është pasuruar pa bazë juridike në vlerën prej 88,88.53 Euro në emër të borxhit kryesor, si dhe më pas kamatat e aplikueshme të cilat janë evidentuar në ekspertizën financiare të pranuar në këtë gjykatë, me datën 01.10.2024.

Përfundimisht, kompania ka kërkuar nga gjykata që të aprovojë në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e paditësit ashtu që ta detyrojë të paditurën që në emër të fitimit të pa bazë, respektivisht në emër të ndryshimit të TVSH-së, të bëj kompensimin në vlerë prej 88.88,53 Euro, si borxh kryesor si dhe kamatën e aplikueshme së paku nga data e paraqitjes së kërkesës nga paditësi tek e paditura e datës 22.09.2012, deri në pagesën definitive, ndërsa në alternativë ka kërkuar nga gjykata që kamatën ta aplikojë nga paraqitja e padisë e deri në pagesën definitive. Shpenzimet e procedurës i ka kërkuar në shumën e përgjithshme prej 2.118 Euro, për pesë përfaqësime gjyqësore shumën në vlerë prej 270.40 Euro, për ekspertizën financiare shumën prej 350 dhe për dy parashtresa, respektivisht për padi dhe ankesë shumën prej 208 Euro për secilën.

Gjatë shqyrtimeve gjyqësore edhe në fjalën përfundimtare përmes përfaqësuesit të autorizuar ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë kundërshtimeve të paraqitura dhe ka shtuar se edhe në këtë fazë të procedurës, gjykata duhet të refuzojë si të pabazuar kërkesëpadinë e paditësit “Arda Rei” SH.P.K., me arsyetimin se kërkesëpadia e paditësit, e cila tashmë është objekt shqyrtimi është parashkruar bazuar në nenin 371 të LMD-së, më saktësisht kontrata për ndërtimin e rreth rrotullimit në udhëkryqin e rrugës magjistrale M9 dhe M2 është lidhur me datë 28.10.2008, pranimi teknik dhe llogaria përfundimtare është bërë me datë 03.10.2012. Ndërsa, padia është dorëzuar pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Ekonomike me datë 31.01.2019. Po ashtu, ka shtuar se i kundërshton edhe pretendimet e të autorizuarit të paditësit kinse afati i përgjithshëm i parashkrimit është 10 vjeçar sipas ndryshimeve të bëra në LMD-në RSFJ me nr. 31/93 me arsyetimin se dispozitat ligjore të miratuara dhe të ndryshuara gjatë vitit 93 dhe 2003 nuk janë të aplikueshme në territorin e Republikës së Kosovës, andaj duke pasur parasysh sqarimet e bëra më lartë, gjykatës i ka propozuar të refuzohet në tërësi si e pabazuar kërkesëpadia e paditësit “Arda Rei” për shkak të parashkrimit të padisë, e cila është objekt i këtij shqyrtimi gjyqësor. /Demokracia.com/