“Kjo nuk mbaron këtu…”, Raphinha reagon pas eliminimit të Barcelonës. Braziliani kërkon falje edhe për gjestin ndaj tifozëve

Ndoshta me të në fushë, Barcelona sonte do të ishte në gjysmëfinale. Katalanasit e kanë vuajtur shumë mungesën e Raphinha-s në përballjen me Atletico Madridin, ku në fund “Colchoneros” kaluan në gjysmëfinale.

Pavarësisht se nuk ishte në fushë, Raphinha i gjendur në stol për të ofruar mbështetje për shokët e tij, u bë protagonist për reagimin e tij ndaj provokimeve të tifozëve të Atletico-s.

Përmes një reagimi të gjatë në rrjetet e tij sociale, braziliani ka treguar dhimbjen që ndjen pas eliminimit të mbrëmshëm, por duke iu premtuar tifozëve se ai dhe shokët e tij do të rikthehen më të fortë se kurrë.

“Një nga ndjenjat më të vështira në karrierën time profesionale është të shoh shokët e mi të ekipit në këtë moment dhe të mos jem në gjendje të jem me ta në fushë, duke luftuar përkrah tyre.

Të qenit jashtë, i pafuqishëm për të bërë atë që dua më shumë, më dhemb në një mënyrë që është e vështirë të shpjegohet. Kam vuajtur çdo minutë sikur të isha aty brenda, me një dëshirë të vazhdueshme për të vrapuar, për të ndihmuar dhe për të dhënë gjithçka për këtë ekip.

Ndjej krenari të madhe për secilin prej shokëve të mi të ekipit për atë që kanë dhënë deri në fund.

Tani është koha të rikuperoj trupin tim, por shpirti im është tashmë i përqendruar në rikthim, më i fortë, më i përgatitur dhe me pasion edhe më të madh për të ndihmuar këtë klub. Sepse kjo nuk mbaron këtu. Do të ngremë kokën dhe do të kthehemi për të luftuar së bashku. Sepse ne jemi Barcelona”, shkruan Raphinha.

“Gjesti im ndaj tifozëve të Atletico-s, ishte një akt i bërë në një moment tensioni, si kundërpërgjigje ndaj njërit prej tyre që po më provokonte. Kërkoj falje për gjestin tim, i cili nuk tregon aspak vlerat e mia”, shtoi Raphinha.

The post “Kjo nuk mbaron këtu…”, Raphinha reagon pas eliminimit të Barcelonës. Braziliani kërkon falje edhe për gjestin ndaj tifozëve appeared first on Telesport.