Në prag të vizitës së kryeministrit malazias, Dushko Markoviq, zyrtarë të këtij shteti kanë përsëritur se demarkacioni për ta është çështje e mbyllur, pavarësisht përpjekjeve në Prishtinë që të përgatitet një deklaratë e përbashkët, shkruan sot Koha Ditore.
“Sa i përket çështjes së demarkacionit, pozicioni i Malit të Zi nuk ka ndryshuar as nuk do të ndryshojë”, ka thënë Srdjan Kusovac, këshilltar i kryeministrit, Dushan Markoviq, kur është pyetur nëse po diskutohen zgjidhjet përfshirë edhe ajo për një deklaratë të përbashkët.
Këtë qëndrim e kishte përsëritur edhe ministri i jashtëm malazias, Zoran Pazin, në takimin e zhvilluar në Podgoricë me homologun nga Kosova, Behgjet Pacolli. Diplomatit kosovar, sikurse edhe paraardhësve të tij në Qeveri, i është thënë direkt nga zyrtarët e lartë të Podgoricës se demarkacioni për ta është çështje e mbyllur.