Franca dhe Spanja përballen në Dallas në gjysmëfinalen e parë të Botërorit 2026, me synimin për të siguruar finalen e 19 korrikut në “MetLife Stadium”, ku i pret fituesi i çiftit Angli–Argjentinë.
Dy skuadrat takohen sërish dy vite pas suksesit 2-1 të Spanjës në gjysmëfinalen e “Euro 2024”, ndërsa vëmendja është te dueli mes Kylian Mbappé dhe Lamine Yamal. Më 5 qershor 2025, Spanja fitoi 5-4 ndaj Francës në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve, me Yamal autor të dy golave dhe Mbappe të një goli.
Megjithatë, ky Botëror ka treguar një Francë më të fortë. Ekipi i Didier Deschamps nuk ka pësuar asnjë gol në fazën me eliminim direkt, duke kaluar Norvegjinë, Suedinë dhe Marokun. Spanja, ndërkohë, hasi vështirësi ndaj Portugalisë dhe Belgjikës, duke siguruar kualifikimin falë golave vendimtarë të Merinos në fund të ndeshjeve.
Franca pritet të rikuperojë Aurélien Tchouaméni, i cili është gati të rikthehet në formacionin 4-2-3-1, përkrah Adrien Rabiot, pas treshes sulmuese Ousmane Dembélé, Michael Olise dhe Désiré Doué, që do të mbështesin Kylian Mbappé.
Nga ana tjetër, trajneri Luis de la Fuente nuk pritet të bëjë ndryshime në formacionin që siguroi kualifikimin në gjysmëfinale. Edhe këtë herë, heroi i ndeshjeve ndaj Portugalisë dhe Belgjikës, Mikel Merino, do ta nisë takimin nga stoli, ndërsa Fabián Ruiz do të jetë titullar. Sfida nis në orën 21:00 dhe do të drejtohet nga arbitri salvadorian Iván Barton.
The post Mbappé sfidon Yamal-in për finalen e Botërorit. Bota “mban frymën” për Francë–Spanjë appeared first on Telesport.








