Për herë të parë AAK nuk garon me Ramush Haradinajn për kryeministër – Gjini sjell energji të re në parti

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po hyn në një kapitull të ri politik. Për herë të parë që nga themelimi i saj, AAK-ja nuk do ta ketë në krye të listës dhe as si kandidat për kryeministër themeluesin e saj, Ramush Haradinajn.

Edhe në periudhat më të vështira, përfshirë kohën kur po përballej me gjykimin në Hagë, Haradinaj ishte figura qendrore e Aleancës. Por pas më shumë se dy dekadash udhëheqjeje, ai ka vendosur të tërhiqet, duke hapur rrugën për një brez të ri drejtues.

Në qendër të këtij tranzicioni është Ardian Gjini, kryetari shumëvjeçar i Komunës së Gjakovës dhe një nga figurat më të rëndësishme të AAK-së.

I cilësuar prej kohësh si krahu i djathtë dhe numri dy i Haradinajt, Gjini tashmë është konfirmuar si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e partisë dhe për të udhëhequr garën për kryeministër në zgjedhjet e 7 qershorit.

Ardian Gjini është emër i njohur në skenën politike kosovare, por sidomos në Gjakovë, ku ai i priu transformimeve në këtë qytet.

Që nga marrja e drejtimit të komunës në vitin 2017, ai ka fituar tri mandate radhazi, duke realizuar projekte të mëdha infrastrukturore, rrugë të reja, investime kapitale dhe ndryshime që e kanë shndërruar Gjakovën në një nga modelet më të përfolura të qeverisjes lokale në vend.

Rrugëtimi i tij politik është i gjatë. Veteran i UÇK-së, deputet nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë, pjesëmarrës në bisedimet e Vjenës për Planin e Ahtisaarit dhe anëtar i komisionit të parë kushtetues të Kosovës.

Ai ka shërbyer gjithashtu si ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, deputet për dy mandate dhe udhëheqës i grupit parlamentar të AAK-së.

Me formim akademik në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Evropiane nga Universiteti i Kentit në Britaninë e Madhe, Gjini po hyn në sfidën më të madhe të karrierës së tij politike, ta kthejë suksesin lokal në mbështetje më të madhe në nivel vendi.