Raporti i sigurisë në Prishtinë: Më pak grabitje e aksidente se në prillin e vitit të kaluar

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka bërë prezantimin e raport-analizës mujore të sigurisë, ku janë publikuar të dhënat krahasuese për muajin prill të këtij viti në raport me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

Sipas statistikave zyrtare, gjatë kësaj periudhe është shënuar përmirësim i dukshëm i situatës së sigurisë dhe rendit publik në rajonin e Prishtinës, me rënie të disa veprave penale dhe aksidenteve në trafik.

Nga analiza e prezantuar rezulton se veprat penale “Lëndim i rëndë” kanë pësuar ulje prej 11 për qind, ndërsa rastet e vjedhjeve janë zvogëluar për 14 për qind.

Bëhet e ditur se rënie të konsiderueshme kanë shënuar edhe rastet e grabitjeve, të cilat kanë rënë për 60 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Në kuadër të aktiviteteve për rritjen e sigurisë në komunikacion dhe zbatimin e ligjit janë shqiptuar  afro 20 mijë gjoba në trafik.

“Aktivitete këto që kanë ndikuar në zvogëlimin e numrit të aksidenteve në trafik për 17%, krahasuar me muajin prill të vitit të kaluar”, thuhet në njoftimin e policisë në kryeqyetet rreth kësaj analize