Pejë: Aktakuzë ndaj 12 personave për dallavere me patentë shoferë

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve A.Sh., T.Sh., R.S., M.S., L.G., N.D., B.K., D.T., B.B., M.D., M.I., dhe F.B., të cilët ngarkohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoriteti zyrtar”, “Manipulimi me prova”, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” dhe “Dhënie ryshfeti”.

Në njoftimin e Prokrorisë thuhet se të akuzuarit u kanë mundësuar kandidatëve që në mënyrë të kundërligjshme të pajisen me patentë shoferë.

“Sipas aktakuzës e cila përmban 391 faqe të ngritur nga prokurori i çështjes përfshihen dymbëdhjetë (12) persona të pandehur, të cilët përmes veprave penale të lartcekura, ju kanë mundësuar në mënyrë të kundërligjshme kandidatëve të auto shkollave të ndryshme pajisjen me patentë shoferë në Pejë”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, A.Sh., akuzohet se në cilësinë e Koordinatorit të Njësisë së Qendrës për Patentë Shoferë në Pejë, planifikoi dhe organizoi mbajtjen e provimeve teorike në rrethana të kundërligjshme.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri A.Sh., në cilësinë e Koordinatorit të Njësisë së Qendrës për Patentë Shoferë në Pejë, gjatë periudhës kohore nga viti 2021 e deri më 23.07.2024, dyshohet se nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, duke mos zbatuar Ligjin për Patentë Shofer dhe udhëzimet administrative përkatëse lidhur me organizimin dhe mbajtjen e provimeve për patentë shoferë. I njëjti dyshohet se ka planifikuar dhe organizuar mbajtjen e provimeve teorike edhe në data dhe rrethana të kundërligjshme, duke mundësuar testimin e kandidatëve të cilët nuk figuronin në listat zyrtare të kandidatëve dhe pa koordinim me strukturat përgjegjëse të Ministrisë kompetente”, njofton Prokuroria.

Kurse, R.S., thuhet se ngarkohet që ndihmoi në realizimin e këtyre veprimeve të kundërligjshme, me ndërmjetësim dhe mundësim të dhënies së ryshfetit në shuma nga 300 deri në 1 mijë euro.

“Po ashtu, i pandehuri R.S. dyshohet se ka ndihmuar në realizimin e këtyre veprimeve të kundërligjshme, duke ndërmjetësuar dhe mundësuar dhënien e ryshfetit nga përfaqësues të auto-shkollave të ndryshme, në shuma që sipas aktakuzës variojnë nga 300 deri në 1,000 euro, me qëllim të kalimit të kandidatëve në testet teorike dhe praktike për pajisje me patentë shofer. Në aktakuzë përfshihet edhe dyshimi se të pandehurit A.Sh., T.Sh. dhe R.S., më 17 nëntor 2023, në zyrën e koordinatorit të Njësisë së Qendrës për Patentë Shoferë në Pejë, kanë vepruar në bashkëkryerje në kryerjen e veprës penale “Manipulimi me prova”, njofton Prokuroria.

Në anën tjetër, T.Sh., në cilësinë e pyetëses së pjesës teogrike, akuzohet se u mundësoi kandidatëve kalimin e testit teorik, duke ua treguar përgjigjet e sakta e pa dokumentacion të kompletuar. Veprime të ngjashme ngarkohen se kreu edhe M.Sh.

“E pandehura T.Sh., në cilësinë e pyetëses së pjesës teorike, dyshohet se gjatë periudhës 2021 – 2024 nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare sipas dispozitave administrative për sigurimin e cilësisë dhe standardeve minimale për pyetësit teorik, duke u mundësuar kandidatëve kalimin e testit teorik përmes tregimit të përgjigjeve të sakta dhe lejimit të testimit edhe pa dokumentacion të kompletuar. Veprime të ngjashme, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer edhe nga e pandehura M.Sh., e cila në cilësinë e pyetëses së pjesës teorike, dyshohet se ka vepruar në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe për persona të tjerë”, njofton Prokuroria.

Kurse, L.G., në cilësinë e zyrtarit administrativ në Njësinë e Qendrës për Patentë Shoferë, ngarkohet se lejoi paraqitjen e kandidatëve në provime ndonëse i kishin dosjet e pakompletuara.

“Në këtë çështje penale përfshihet edhe i pandehuri L.G., zyrtar administrativ në Njësinë e Qendrës për Patentë Shoferë në Pejë, i cili dyshohet se ka lejuar paraqitjen e kandidatëve në provime edhe në rastet kur dosjet e tyre kanë qenë të pakompletuara, si dhe nuk ka regjistruar dhjetëra kandidatë në librat amzë përkatës. Sipas aktakuzës, gjatë kontrollit janë gjetur edhe dosje të kandidatëve të mbajtura në mënyrë të kundërligjshme jashtë institucionit përkatës”, thuhet më tej.

Gjithashtu, sipas Prokurorisë, të pandehurit B.K., dhe N.D., në cilësinë e ekzaminuesve të pjesës praktike, ngarkohen se kanë organizuar dhe zhvilluar testime praktike në kundërshtim me udhëzimet administrative dhe jashtë orarit zyrtar të punës, duke mundësuar kalimin e kandidatëve pa përmbushur kriteret ligjore dhe profesionale për pajisje me patentë shofer.

“Sipas aktakuzës, si rezultat i këtyre veprimeve të kundërligjshme, disa nga përfaqësuesit e auto-shkollave kanë përfituar avantazh të padrejtë konkurrues në treg, duke regjistruar numër dukshëm më të madh të kandidatëve krahasuar me auto-shkollat tjera. Të pandehurit M.I., D.T. dhe M.D., në cilësinë e përfaqësuesve të auto-shkollave, akuzohen për veprat penale “Dhënia e ryshfetit” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, ndërsa të pandehurit B.B. dhe F.Z. akuzohen për veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, njofton Prokuroria.

Bëhet e ditur se prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës kompetente që, pas administrimit të provave dhe zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale që iu vihen në barrë.