I dërguari special i BE për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen ka biseduar dje me ministrin e Jashtëm serb, Marko Gjuriqin lidhur me vazhdimin e dialogut.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme të Serbisë, Gjuriqi ka pretenduar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “nuk është dhe nuk mund të jetë dialog për njohje të ndërsjellë”.
“Por një proces i orientuar drejt përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe drejt rritjes së të drejtave kolektive politike, ekonomike, kulturore dhe të tjera të popullit serb në Kosovë”, pretendohet në njoftim, transmeton Paparaci.
Duke folur për rëndësinë e mbajtjes së rregullt të takimeve, Gjuriqi ka thënë se vazhdimi i dialogut duhet të fokusohet në zbatimin e plotë të marrëveshjeve tashmë të arritura.
Prandaj, ai tha se prioritet i Serbisë mbetet formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ai gjithashtu “e ka përshëndetur” marrëveshjen e arritur lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt, duke e falënderuar Peter Sorensen për, siç thuhet, “angazhimin aktiv”, dhe ka thënë se Asociacioni ende nuk është themeluar.
“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe ende nuk është formuar për shkak të pengesave nga Prishtina dhe shmangies së përmbushjes së obligimit të paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013”, ka thënë ai.
Si zakonisht, nuk përmendet se çfarë ka thënë Sorenseni në lidhje me këto pretendime Gjuriqit!/Paparaci.com









