“Drena” bëhet aksionar në qumështoren më të vjetër në Poloni

Nga rrugëtimi si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri te udhëheqja e një prej kompanive më të suksesshme vendore, historia e Rrustem Rukolli mbetet frymëzim për shumë të rinj dhe sipërmarrës në Kosovë.
Rukolli, pronar i kompanisë “Drena”, ka ndërtuar ndër vite një biznes të fuqishëm në sektorin e ndërtimit, industrisë së qumështit dhe prodhimit të pijeve, duke punësuar qindra punëtorë dhe duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit.
Së fundmi, kompania “Drena” ka shënuar edhe një sukses të madh ndërkombëtar. Pas një angazhimi disa mujor, kompanisë i është besuar bashkëpunimi në cilësinë e aksionarit të dytë në njërën ndër qumështoret më të vjetra në Poloni.
Ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm për zgjerimin e brandit kosovar në tregun europian. Puna, përkushtimi dhe përvoja në industrinë e qumështit po e shndërrojnë “Drenën” në një prodhues të fuqishëm “Made in EU”, në një prej rajoneve më të zhvilluara blegtorale në Evropë.
Nga kompania kanë bërë të ditur se ky është vetëm fillimi i një kapitulli të ri për brandin dhe produktet e saj, të cilat shumë shpejt pritet të jenë më afër konsumatorëve europianë.
Përfaqësuesit e kompanisë kanë garantuar bashkëpunëtorët dhe konsumatorët se “Drena” do të vazhdojë edhe më fuqishëm të jetë pranë tyre, si në Kosovë ashtu edhe në tregun europian.