Partia Socialdemokrate (PSD) ka realizuar një aksion simbolik përballë Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, pas aksionit simbolik të mbajtur para Kuvendit të Kosovës, ku ish-presidentja Vjosa Osmani u paraqit si “Kali i Trojës”, ka kritikuar Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe rikthimin e Osmanit në këtë subjekt politik.
Ai tha se opozita në Kosovë nuk po ofron alternativë për qytetarët, por po synon vetëm më shumë pushtet dhe poste në qeverinë e ardhshme.
“Zhvillimet në kampin opozitar çdo ditë, çdo orë, çdo minutë në të ardhmen do ta konfirmojnë në vazhdimësi që në Kosovë nuk ka parti opozitare. Këto parti opozitare po shkojnë në këto zgjedhje me një qëllim shumë të thjeshtë, por shumë të padobishëm për qytetarët e Republikës së Kosovës: po garojnë për pak më shumë deputetë që me pasë pak më shumë hise në qeverinë e ardhshme. Kthimi që u trumpetua me të madhe i Vjosa Osmanit në LDK i ka dy probleme shumë të mëdha. E para është një mashtrim i madh publik, sepse Vjosa Osmani nuk është kthyer fare në LDK. Vjosa Osmani po e përdor LDK-në si trampolinë për potencialisht ndonjë pozitë të ardhshme në institucionet e Kosovës. Qysh edhe u mor vesh sheshazi, ajo nuk është anëtare e LDK-së; e mori një grup prej nja 20 veta, po i çon në listën e LDK-së dhe po e ripërdor LDK-në edhe një herë“, thotë ai.
“E dyta, ne besojmë që me këtë qasje më shumë i shkon simbolika e ‘kalit të Trojës’, sepse LDK-ja më shumë sesa po bashkohet, po ndahet rishtazi. Sepse njerëzit të cilët i qëndruan besnikë LDK-së në periudhën kur u braktis nga Vjosa Osmani, ku u sulmua nga Vjosa Osmani, ku u shkatërrua nga Vjosa Osmani — qysh edhe vetë ju e keni parë — nuk kanë qenë pjesë e ceremonisë së bashkimit të trumpetuar nga kryetari Abdixhiku. Ky bashkim është lidhje puro e interesit për pozita të dy individëve që e kanë kapur këtë parti. Tash ju me të drejtë keni me pyet: po çka i intereson Partisë Socialdemokrate çështja e LDK-së? Absolutisht na intereson. Kosova vuan që pesë vjet s’ka opozitë. Kosova vuan nga njerëzit të cilët, sa kanë qenë në institucione, i kanë shërbyer kryeministrit me pikë e me presje“, u shpreh tutje Molliqaj.
“Dhe Kosova nuk e ka lluksin, Kosova nuk guxon dhe nuk duhet të rizgjedhë njerëz të cilët kanë plane për pozitat e veta. Madje nuk janë as për partitë, as për partitë në të cilat po shkojnë — i kanë abuzuar, i kanë poshtëruar dhe po kthehen tamam me simbolikën sikurse kali i Trojës, e ju e dini çka i ka ndodhë Trojës kur u fut kali brenda.
Prandaj unë besoj që votuesit në Kosovë në përgjithësi, specifikisht votuesi i Lidhjes Demokratike, nuk ka arsye me mbështet këtë nismë, e cila është nismë kundër tyre, është nismë kundër demokracisë së Kosovës. Prandaj edhe i bëj thirrje që të votojnë kësaj here për Partinë Socialdemokrate, e cila është e qartë dhe garanton vetëm ulëset e opozitës“, tha ai.









