Pamjet si hynë në pistë grabitësit, ndjekja nga policia dhe shkëmbimi i zjarrit (Video)

Grabitja brenda aeroportit të Rinasit zgjati vetëm 90 sekonda. Pamjet e kamerave të sigurisë të publikuara nga Report Tv dhe Shqiptarja.com tregojnë një pjesë të dinamikës së ngjarjes. Veprimet e grabitësve të drejtuar nga Admir Murataj hyjnë në perimetrin e aeroportit nga pjesa e rezervuar për mjetet e zjarrfikëseve.

Siç duket në pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë, një nga grabitësit që ka të veshur uniformë të zezë thyen zinxhirët që mbajnë të kyçur derën, ndërsa bashkëpunëtorët e tjerë me një kabëll prej çeliku të lidhur te furgoni spostojnë bllokun prej çimentoje të vendosur si mbrojtje e gardhit.

Në pak sekonda furgoni i kamufluar me logon e policisë hetimore arrin të futet në aeroport dhe shkon te avioni i Austrian Airlines duke grabitur 7 thasë me mbi 10 milionë euro. Furgoni i grabitësve pas kësaj merr rrugën drejt daljes pranë parkimit C.
Operacionin e drejton si gjithmonë Admir Murataj që para se të largohet rimerr pozicion në sediljen në krah të shoferit. Furgoni i grabitësve me paratë arrin të dalë tashmë jashtë aeroportit, por ndërkohë është dhënë dhe alarmi. Në më pak se një minutë pas një patrullë e policisë është vënë në ndjekje të tyre.

Për Admir Muratajn arratia do të marrë fund pas më pak se dy kilometra kur furgoni rrethohet nga policia dhe në konfliktin me armë Admir Murataj mbetet i vrarë, ndërsa bashkëpunëtorët e tij arratisen me një tjetër furgon, bashkë me paratë.

shqiptarja.com