Driton Selmanaj i nënshtrohet një operimi në boshtin kurrizor, thotë se ndërhyrja ishte e suksesshme

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka bërë të ditur se pesë ditë më parë iu është nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në boshtin kurrizor, pas problemeve shëndetësore që tha se i kishin shkaktuar dhimbje të forta dhe vështirësi në ecje.

Selmanaj tha se gjatë javëve të fundit ishte përballur me dhimbje të padurueshme dhe bllokim në ecje, gjendje që ia kishte vështirësuar ndjeshëm përditshmërinë.

“Miq të dashur, Pesë ditë më parë iu nënshtrova një ndërhyrjeje kirurgjikale në boshtin kurrizor, pasi gjatë javëve të fundit u përballa me dhimbje të forta e të padurueshme dhe bllokim në ecje, gjendje që e vështirësonte shumë përditshmërinë time”, shkroi ai në një postim në Facebook.

“Fatmirësisht, sot, vetëm pesë ditë pas operimit, ndihem shumë mirë dhe çdo ditë po ndjehem mirë e më mirë. Më pret ende një periudhë rikuperimi, por e rëndësishmja është që gjithçka ka shkuar me sukses”, shtoi Selmanaj.

Selmanaj e falënderoi specialistin e neurokirurgjisë, dr. Armend Kërveshin, për profesionalizmin gjatë operacionit, si dhe të gjithë stafin mjekësor për kujdesin e treguar.

“Shpreh falënderimin tim të madh për Specialistin e Neurokirurgjisë dr. Armend Kërveshin që kreu ndërhyrjen kirurgjike me profesionalizëm të jashtëzakonshëm, si dhe për të gjithë stafin mjekësor që u kujdes për mua me përkushtim gjatë gjithë kësaj kohe”.

Ai shprehu mirënjohje edhe për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që tha se i kanë qëndruar pranë me lutje, mbështetje dhe mesazhe inkurajuese.

“Po ashtu, falënderoj nga zemra familjen, miqtë dhe të gjithë ata që më kanë qëndruar pranë me lutje, mbështetje dhe mesazhe inkurajuese. Shëndeti është bekimi më i madh. Ju uroj të gjithëve shëndet dhe mbarësi!”, shkroi Selmanaj