Avokati Dastid Pallaska, që ka qenë një nga kritikuesit e ashpër ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, tash është pjesë e ekipit mbrojtës të tij në procesin gjyqësor në përballjen e tij me Gjykatën Speciale.
Pallaska ka thënë se nuk ka mundur ta refuzoj ftesën e Hashim Thaçit për përfshirjen e tij në ekipin e avokatëve mbrojtës duke u bazuar në kritere profesionale.
Ai po ashtu ka deklaruar se as në aspektin personal nuk ka mundur mos ta marrë përsipër këtë rast për të cilin thotë se është unikal në botë.
“Janë dy çështje totalisht të ndara – pjesëmarrja ime në debatin publik dhe fushëveprimtaria ime profesionale ku njerëzit kërkojnë shërbimet të cilat i ofroj. Fakti që edhe ish-presidenti [Hashim] Thaçi, përkundër deklarimeve të mia publike, ka ardhur dhe ka kërkuar që unë të kyçem në ekipin mbrojtës flet më mirë se çkado tjetër se përzgjedhja ime ka qenë e bazuar ekskluzivisht në kritere profesionale dhe meritore që ka qenë në një mënyrë edhe kompliment personal”, tha ai, në Klan Kosova.
“Këtë rast kam pranuar ta përfaqësoj, sepse është rast unikal ndoshta në botë sa i përket gjykatës para të cilës paraqitemi. Në aspektin personal ka qenë e pamundur ta refuzoj një ftesë të tillë duke qenë që atje nuk po gjykohet vetëm një individ, sepse implikimet e atij rasti i tejkalojnë individët që janë paraqitur apo mund të paraqiten në të ardhmen. E konsideroj nder dhe privilegj profesional që do ta kem mundësinë që në mesin e një numri të konsiderueshëm të avokatëve që bëjnë pjesë në ekipin e Thaçit që ta jap kontributin tim modest për një përfundim që shpresoj që nuk do të jetë pozitiv vetëm për Hashim Thaçin, por për tërë vendin”, tha ai.
Por, a mund të bëhet një ndarje e tillë – pra a mund Dastid Pallaska ta bëjë punën e avokatit mbrojtës të Hashim Thaçit kur politikisht nuk është pajtuar me të?
“Avokatët asnjëherë nuk asociohen me klientët e tyre. Nevoja për avokat është që të kesh dikë që me kokë të ftohtë e gjykon situatën e vështirë në të cilën gjendet një njeri. Gjithashtu as kjo nuk sugjeron një afërsi të caktuar, apo jo. Po të kishte qenë afërsia personale apo politike kriter, me siguri se [Hashim] Thaçi do t’i drejtohej njerëzve të tjerë”.
“Kontakti i parë dhe i vetëm me të ka qenë angazhimi për këtë çështje. Unë e njoh Hashim Thaçin si figurë publike dhe me të më ka rënë të takohem në mbledhi të ndryshme, diplomatike apo të tjera. Mirëpo, diskutimi për ndonjë çështje ka qenë i pari dhe i fundit ai për angazhimin të cilin e kam pranuar”, tha ai.