Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së u ka bërë thirrje veteranëve dhe qytetarëve që të bashkohen sot në Skenderaj, pranë stacionit policor, ku po intervistohet Sami Lushtaku.
Përmes një komunikate publike, OVL e UÇK-së ka kërkuar unitet dhe përkrahje për ish-luftëtarët e luftës çlirimtare, duke theksuar se “lufta çlirimtare e UÇK-së ishte e drejtë dhe se luftëtarët e saj nuk do të jenë kurrë vetëm”.
Organizata ka ftuar pjesëmarrësit që tubimi të zhvillohet në mënyrë të qetë, dinjitoze dhe në frymën e respektit qytetar.
“Sot më shumë se kurrë, kërkohet unitet, dinjitet dhe përkrahje për ata që i dolën zot Atdheut në ditët më të vështira të historisë sonë”, thuhet në thirrjen publike të OVL-së së UÇK-së.









