Nëna e përkushtuar e Cristiano Ronaldos, Dolores Aveiro, dhe tri motrat e vëllezërit e tij, Hugo, Elma dhe Katia, NUK ishin të pranishëm në ceremoninë civile intime, e cila u zhvillua të martën në orën 13:30. Regjistruesja Maria Manuel Ferreira de Campos Folhadela de Oliveira udhëtoi nga qyteti verior portugez i Portos drejt Cascais për të zhvilluar ceremoninë.
Motra e Georginës, Ivana, miku i vjetër i Cristianos, Miguel Paixao, si dhe një çift spanjoll, Jose Rodriguez Sangil dhe bashkëshortja e tij Monica Goncalez Martinez, ishin të vetmit dëshmitarë. Çifti i famshëm, i cili u martua saktësisht një vit pas ditës kur njoftuan fejesën e tyre në rrjetet sociale, ka vendosur t’i mbajë të ndara pasuritë e fituara para martesës, pavarësisht se kurorëzoi një lidhje 10-vjeçare.

Ata nënshkruan një marrëveshje paramartesore për të përcaktuar regjimin pasuror më 10 gusht, një ditë para ceremonisë, në një zyrë noteriale në Lisbonë. Përfaqësuesit e Cristiano Ronaldos konfirmuan në fillim të kësaj jave se futbollisti dhe partnerja e tij prej shumë vitesh u martuan më 11 gusht në një ceremoni “intime” në Cascais, pasi çifti publikoi në Instagram fotografi ku shfaqeshin me unazat e martesës.
Kjo pasoi spekulimet, të cilat rezultuan të rreme, se ata do të martoheshin të shtunën në Katedralen e Funchal, në ishullin e lindjes së Cristianos, Madeira. Nuk ishin bërë të ditura detaje se ku, në Cascais, ishin martuar apo kush ndodhej saktësisht në ceremoni, përveç fëmijëve të tyre.

Gjatë natës, gazeta prestigjioze portugeze “Jornal de Noticias” publikoi një kopje të certifikatës së martesës, duke treguar se ceremonia u zhvillua në vilën madhështore të Cristianos, të ndërtuar nga e para, në zonën rezidenciale luksoze “Quinta da Marina”.
Dokumenti dëshmonte gjithashtu se, meqë ishin ftuar kaq pak persona, duket se nuk kishte vend për nënën e Cristianos. Ajo e kishte bekuar bashkimin pak më vonë, duke postuar një zemër në Instagramin e djalit të saj, në përgjigje të njoftimit për martesën. Pjesa tjetër e familjes së tij mungonte gjithashtu, përveç pesë fëmijëve të tij; Cristiano Jr, binjakëve Eva Maria dhe Mateo, Alana dhe Bella.

Jose Rodriguez Sangil u përshkrua nga mediat portugeze si një argjendar spanjoll. Dokumenti i martesës përmbante emrin e plotë të Cristianos dhe moshën e tij, 41 vjeç, si dhe vendlindjen dhe emrat e prindërve të tij, përfshirë babain e ndjerë, Jose Dinis.
Të njëjtat të dhëna ishin shënuar edhe për Georginën, 32 vjeçe, e lindur në kryeqytetin argjentinas Buenos Aires dhe e regjistruar me emrin e plotë Georgina Luisa Rodriguez Hernandez. Të dy do të mbajnë emrat e tyre para martesës, ndryshe nga disa vende europiane, ku gratë e sapomartuara zakonisht marrin mbiemrin e bashkëshortit.

Certifikata e martesës u regjistrua me numrin 1.493 për këtë vit, por duket se është regjistruar në Zyrën e Gjendjes Civile të Portos, në vend të Cascais, që është bashkia ku u zhvillua martesa.









