Në LDK po zhvillohet një betejë mes atyre që anojnë kah PDK-ja dhe atyre që anojnë kah VV-ja

Analisti politik Nexhmedin Spahiu ka komentuar zhvillimet e fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, në prag të Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë, ku pritet të diskutohet edhe për pozitën e kryetarit Lumir Abdixhiku.

Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Spahiu ka deklaruar se brenda LDK-së po zhvillohet një përballje mes dy grupeve me orientime të ndryshme politike.

“Në LDK po bëhet një betejë mes atyre që anojnë kah PDK-ja, në bllokun opozitar, dhe atyre që anojnë kah VV-ja për të krijuar një marrëveshje. Tash cili grup fiton, natyrisht do ta përcaktojë edhe skenën e ardhshme politike. Mendoj se, pavarësisht se mund të duken të barabartë, do të mbijetojë ai grup që e mban vulën e LDK-së. Edhe nëse ndodh një ndarje, ajo pjesë që largohet është e dënuar të dështojë. Zakonisht, të gjitha grupet që janë ndarë nga LDK-ja kanë dështuar, ashtu siç kanë dështuar edhe ndarjet nga PDK-ja”, ka thënë Spahiu.

Ai është ndalur edhe te çështja e lidershipit në LDK, duke vlerësuar se partia ka vuajtur nga mungesa e një lideri të fortë që nga vdekja e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

“Që nga vdekja e Ibrahim Rugovës, LDK-ja vuan për lidership. Është e vërtetë që Lumir Abdixhiku nuk ka dëshmuar një lidership të fortë partiak, por edhe ata që po e sfidojnë nuk po i shoh si figura që mund ta zëvendësojnë. Nuk po shoh ndonjë figurë karizmatike në mesin e tyre që mund ta udhëheqë fuqishëm LDK-në. Të jem i sinqertë, as Abdixhikun nuk e shoh lider të fortë, por as kundërshtarët e tij. Nga emrat që përmenden, vetëm Lutfi Haziri mund ta balancojë situatën”, ka deklaruar ai.

I pyetur nëse e sheh Besian Ramën si një prej figurave që mund të marrë drejtimin e LDK-së, Spahiu u shpreh skeptik.

“Nuk e shoh lider të fortë. Është e vërtetë që ai është më kritik ndaj Albin Kurtit, por as kjo nuk dëshmon lidership”, ka përfunduar Spahiu.