Kushte jo të mira të qëndrimit dhe akomodimit janë raportuar në kazermën “Minatori” në Mitrovicë, ku qëndrojnë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në redaksinë e Klankosova.tv kanë ardhur informacione dhe fotografi që pretendojnë se paraqesin gjendjen në këtë kazermë.
Sipas ankesës së pranuar, në këtë objekt pjesëtarët përballen me kushte të papërshtatshme të akomodimit, ku përmenden probleme me higjienën, prani të mykut në dhoma, mungesë të klimës, si dhe kushte jo të mira për pushim dhe fjetje.
Në këto materiale shihen ambiente të cilat thuhet se janë pjesë e këtij objekti, ndërsa ankesa ngre shqetësime edhe për gjendjen e shtretërve dhe pajisjeve të përdorura nga pjesëtarët gjatë qëndrimit.
Po ashtu, në ankesë thuhet se shqetësime ka edhe për ushqimin që u shërbehet pjesëtarëve të FSK-së në këtë objekt.
Sipas informacionit të pranuar nga një lexues, ushqimi është i cilësisë së dobët dhe në disa raste pjesëtarët detyrohen të blejnë ushqim me shpenzimet e tyre gjatë ditëve të kujdestarisë.
Pretendohet po ashtu se pjesëtarët që qëndrojnë në kujdestari për disa ditë, përballen edhe me shpenzime shtesë për nevoja bazike, përderisa potencohet se kushtet e qëndrimit në objekt nuk janë në nivelin e duhur.
Sipas burimit që i ka dërguar materialet në Klankosova.tv, fotografitë janë realizuar rreth dy javë më parë.
Klankosova.tv ka dërguar pyetje te zëdhënësi i FSK-së, Vëllazërim Qerimi, lidhur me pretendimet e ngritura për gjendjen e paraqitur në fotografi.












