Murati tregon se kur do të shpërndahen 100 eurot për sektorin privat

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se të hënën do të bëhet ekzekutimi i mbështetjes prej 100 euro për secilin të punësuar në sektorin privat, e që ka pagë nën 1000 euro bruto.

Në një postim ai ka thënë se ka nisur shqyrtimi i aplikimeve.

“Që në fillim të kësaj jave, komisionet vlerësuese kanë filluar punën për shqyrtimin e aplikimeve për dy masat e mbetura nga Pakoja për Përballje me Inflacion 2.0, konkretisht mbështetjen për punëtorët e sektorit privat, dhe studentët”, ka thënë Murati.

“Puna e komisionit për masën e sektorit privat është drejt përfundimit, dhe ekzekutimi i pagesave pritet të bëhet në fillim të javës që vjen, pra të hënën”, ka thënë ai.

“Kurse komisioni për masën e studentëve do ta përfundojë punën sapo të ketë marrë konfirmimet përkatëse nga institucionet e arsimit të lartë, për studentët që kanë aplikuar. Edhe për këtë do t’ju njoftojmë me kohë sapo listat për pagesa të jenë gati për ekzekutim”.