Miratohet Harta Zonale dhe Plani Zhvillimor për komunën e Prishtinës

Kuvendi komunal i Prishtinës ka miratuar Hartën Zonale dhe Planin zhvillimor të kësaj komune, raporton Ekonomia Online.
Arta Sylejmani, zyrtare nga Drejtoria e Planifikimit Hapësinor, tha se është dashur të ofrohet ndihma e një kompanie për asistencë teknike për hartimin e Hartës Zonale, por për herë të katërt është anuluar ky tender për shkaqe të ndryshme.
“Nga muaji nëntor 2018 komuna e Prishtinës ka dalë 4 herë me konkurs për tender. Është anuluar për shkaqe të ndryshme ngase si kanë plotësuar kriteret dhe nuk ka pas aplikant të mjaftueshëm. Për 4 herë nuk ka mund mu zgjedh një kompani dhe e kemi marrë një lajm që MMPH-ja do na ndihmoj shpresoj se do vazhdojmë kështu. Hartimi i profilit të komunës së Prishtinës është zhvillu paralelisht me planin e zhvillimit të Komunës dhe Hartën Zonale të Komunës”, tha Sylejmani.
Ajo tha se komuna e Prishtinës është në konsolidim dhe përfundim të profilit të komunës me të gjitha informatat që janë zhvilluar deri më tani.
“Për me fillu një dokument të planifikimit hapësinor duhet të njihet gjendja ekzistuese aktualisht, zona urbane e Prishtinës 90% është e mbuluar me incizime gjeodezike. Përcaktimi se si qytetarët kanë me u qas në ëeb faqen e komunës dhe me një klik kanë me pasë mundësi me pa se çfarë destinimi ka parcela e tyre, e gjitha kjo bëhet që qytetarët të mos jenë të painformuar, por me ditë gjithçka se çfarë është e planifikuar në zonën e tyre”, tha ajo, raporton EO.
Asamblisti i PSD-së, Nol Nushi, tha se Harta Zonale është shumë e rëndësishme dhe nuk duhet të ketë nxitim, por duhet të marr kohën maksimale. Mendoj se duhet me marr kohën maksimale për me u kry, nuk bën me u ngut e me u vonu”, tha Nushi.
Asamblisti i LDK-së, Agim Gashi, kërkoi të dijë se në çfarë faze janë punimet dhe sa kanë mbetur deri në finalizim të Hartës Zonale.
Drejtori për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, Genc Bashota, tha se afati është që në shtator të përfundoj Harta zonale e Prishtinës mirëpo nuk dëshiron të jap afat konkret sepse sipas tij më mirë të jetë cilësore edhe nëse ka pak vonesa.
“Shtatori nuk është jo real dhe nuk është që gjithqysh në shtator, por më shumë të ketë cilësi se sa afat. Harta Zonale, plani rregullativ i Prishtinës për 8 vitet e ardhshme më shumë i jep rëndësi cilësisë”, shtoi ai.