Kandidati i PDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit, Rrahman Rama, ka nisur zyrtarisht fushatën elektorale nga Ferizaj, duke shprehur optimizëm për rezultatin që pret partia e tij në këto zgjedhje.
Përmes një postimi, Rama tha se fushata e nisur sonte do të “kurorëzohet me rezultat të jashtëzakonshëm të PDK-së” më 7 qershor.
“Sonte në Ferizaj nisëm rrugëtimin e kësaj fushate, e cila më 7 qershor do të kurorëzohet me rezultat të jashtëzakonshëm të PDK-së”, ka shkruar ai.
Ai theksoi se entuziazmi i mbështetësve dhe angazhimi i aktivistëve po ia shtojnë besimin për fitore, teksa përdori edhe sloganin “STOP”.
“Gjithë entuziazmi i mbështetësve dhe vullneti i aktivistëve, më bëjnë të besoj se pas 10 ditësh do të ketë STOP!”, u shpreh Rama.
Në fund, kandidati i PDK-së falënderoi qytetarët e Ferizajt për mbështetjen, duke paralajmëruar vazhdimin e aktiviteteve elektorale në qytete të tjera të Kosovës.
“Faleminderit për përkrahje Ferizaj. Shihemi Kosovë!”, përfundoi ai.









