Bardhyl Hasanpapaj, kandidat për deputet në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, është shprehur optimist për rezultatin zgjedhor të 7 qershorit.
“Jam jashtëzakonisht optimist sepse autokracitë ndoshta nuk rrëzohen nga optimistët që janë nga jashtë, por përkundrazi nga frikacakët e brendshëm”, ka thënë Hasanpapaj në VV Show.
Sipas tij populli është lodhur nga politika e Lëvizjes Vetëvendosje dhe për shkak të dështimeve në qeverisje, Hasanapapaj beson që VV-ja do të ndëshkohet në këto zgjedhje.
“Jam optimist sepse vetë kam shpresuar në një platformë që ka premtuar Lëvizja Vetëvendosje para gjashtë viteve. Premtonin ndaljen e korrupsionit, kontrabandës, drejtësi të pavarur, ulje të çmimeve, ndihmë ndaj bizneseve, reformim të arsimit e shëndetësisë. Ka pasur premtime atraktive dhe sigurisht që ka besuar populli. Por, tash pas gjashtë viteve nuk shoh asnjë mundësi tjetër sesa populli ta ndëshkojë me votë për këto dështime të vazhdueshme. Prandaj jam optimist, jam jashtëzakonisht optimist sepse autokracitë ndoshta nuk rrëzohen nga optimistët që janë nga jashtë por përkundrazi nga frikacakët e brendshëm, sepse kur frika hynë nga brenda pastaj ata nuk dalin në rrjete sociale me dal dhe me fol përkundrazi janë shumë më të heshtur sesa na e mendojmë. Fatmirësisht i kemi themelet e demokracisë shumë të shëndoshë dhe me votë do ta ndëshkojmë”, ka thënë Hasanpapaj në VV Show.









