Mbyllin biznesin me borxhe, hapin një tjetër – a po dështon ligji? (VIDEO)

Një kompani mund të krijojë borxhe, të mos ketë asnjë pasuri në emër të saj dhe kreditorët të mbeten pa mundësi reale për t’i realizuar kërkesat financiare.

Kjo për shkak se, sipas legjislacionit në fuqi, Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar (ShPK) përgjigjet për detyrimet vetëm me pasurinë e saj, ndërsa pasuria personale e aksionarëve nuk preket vetëm për shkak të statusit të tyre si pronarë.

Avokati Kasem Murturi shpjegon se ligji aktual nuk përcakton kapital minimal të detyrueshëm për themelimin e një ShPK-je, ndërsa përgjegjësia e saj kufizohet në pasurinë që kompania zotëron, raporton Kiks Kosova.

Sipas tij, kjo formë juridike është ndërtuar mbi parimin e përgjegjësisë së kufizuar, i cili ndan pasurinë e kompanisë nga ajo personale e aksionarëve.

Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privatë të Kosovës, Mehdi Reshani, thotë se përmbarimi mund të zhvillohet vetëm ndaj pasurisë së regjistruar në emër të kompanisë.

Nëse ShPK-ja nuk ka mjete në llogari bankare, automjete, makineri apo pasuri të paluajtshme, procedura pezullohet, pasi nuk ka çfarë të ekzekutohet. Sipas tij, në praktikë hasen edhe raste kur kompani të caktuara ekzistojnë vetëm formalisht, pa pasuri të regjistruar, duke e bërë të pamundur realizimin e kërkesave të kreditorëve.

Edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, thotë se borxhet mes bizneseve mbeten problem, duke vlerësuar se mbi 25 për qind e transaksioneve ndërmjet bizneseve në Kosovë mbesin të hapura ose të papërfunduara.

Ai thekson se një nga arsyet është fakti se ligji nuk përcakton kapital minimal të detyrueshëm për themelimin e një ShPK-je dhe se kjo ul sigurinë në marrëdhëniet mes bizneseve.

Ndërkohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka konfirmuar se është duke përgatitur Projektligjin e ri për Shoqëritë Tregtare. Një nga ndryshimet kryesore të propozuara është vendosja e një kapitali minimal prej 1 mijë eurosh, i cili duhet të paguhet në momentin e themelimit të një ShPK-je.

Sipas Ministrisë, ky ndryshim synon të forcojë mbrojtjen e kreditorëve, të rrisë sigurinë juridike në marrëdhëniet tregtare dhe të parandalojë keqpërdorimin e formës juridike të ShPK-së.

Ministria sqaron gjithashtu se ligji nuk e ndalon një person të themelojë një kompani tjetër edhe pasi një shoqëri e mëparshme ka përfunduar veprimtarinë, për aq kohë sa vepron në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ndiqni kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova për këtë çështje:

Ndiqeni emisionin e plotë: