Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) i ka dorëzuar kompanisë ABRAZEN L.L.C., Qumështorja Vita, Sinajë, Istog, raportet e analizave të qumështit dhe të jogurtit, ku vërehet qartë se produktet e qumështit uht dhe jogurti VITA nuk përmbajnë as vaj palme e as qumësht pluhur.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) mirëpret rezultatet zyrtare të analizave të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), të cilat konfirmojnë se produktet: Qumështi VITA dhe jogurti VITA të sigurta për konsum dhe nuk përmbajnë qumësht pluhur, vaj palme apo përbërës të tjerë të padeklaruar.
LBK thotë se vlerëson rëndësinë e kontrolleve institucionale dhe të analizave profesionale, pasi ato janë garanci për konsumatorët dhe ndihmojnë në krijimin e besimit në treg.
Produktet ushqimore vendore, sikurse edhe çdo produkt tjetër në treg, duhet të vlerësohen mbi bazën e cilësisë, standardeve dhe rezultateve të verifikueshme. Kur institucionet kompetente konfirmojnë sigurinë e produkteve, konsumatorët duhet të kenë besim për zgjedhjet e tyre.
LBK inkurajon qytetarët që të konsumojnë produkte vendore të cilat plotësojnë standardet e sigurisë dhe cilësisë, duke mbështetur në këtë mënyrë edhe fermerët, prodhuesit dhe ekonominë e Kosovës.








